Shala jep detaje rreth Udhëzimit Administrativ, tregon pse nuk u bë publik deri më sot

Prishtinë | 29 Kor 2019 | 13:01 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ që obligon kompanitë që shesin derivate t’i pastrojnë rezervarët çdo 3 vjet.

Shala në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se ky vendim është marrë pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

“Para disa javë unë e kam nënshkruar udhëzimin administrativ për kushtet teknike që obligohen t’i implementojnë kompanitë të cilat merren me shitjen e karburanteve të naftës që para licencimit të tyre janë të obliguara që t’i bëjnë edhe pastrimin e rezervarëve të naftës në pikat e tyre të shitjes dhe në deponitë e tyre, e gjithë kjo është bërë me qëllimin që edhe pas ankesave të qytetarëve tanë, konsumatorit për cilësi jo të duhur të karburanteve të naftës, e ne me qëllim që ta mbikëqyrim këtë cilësi dhe të kujdesemi që cilësia e karburanteve që i shitet qytetarëve tanë të jetë në nivelin e duhur atëherë nga tash do të obligohen të gjitha kompanitë që në periudhë çdo tri vjet secila nga to ta bënë edhe pastrimin e rezervarëve të naftës”, ka thënë Shala.

Ai tha se udhëzimi është nënshkruar para disa javëve, më saktësisht më 11 korrik të këtij muaji, por për shkak të procedurave ligjore nuk është bërë publik.

Shala ka treguar se për këtë vendim kanë qenë të informuar kohë më parë, shitësit dhe shoqatat.

“Ka qenë periudha ligjore që parashihet deri kur i nevojitet kohë një udhëzimi që pasi të nënshkruhet nga ana e ministrit që të hyjë në fuqi. Pasi që ka hy udhëzimi në fuqi atëherë edhe ministria e Tregtisë i ka informuar opinionin për hyrjen në fuqi. Të gjitha palët, shitësit, shoqatat, kanë qenë të informuara për ndryshimet të cilat MTI planifikojë t’i bëjë në këtë rast”, thotë Shala.

Ai ka treguar se tashmë secila kompani që kërkon të licencohet duhet t’i pastrojë rezervarët.

Shala ka folur edhe për lehtësirat në Ligjin e ri për Naftën.

“Nuk do të jetë e mundur më që një kompani të licencohet, të marrë leje, licencë nga Ministria e Tregtisë për shitje dhe për deponim të karburanteve të naftës nëse në periudhën 3vjecare nuk e ka bërë pastrimin e rezervarëve të naftës. Kemi proceduar tashmë edhe me Ligjin e ri për Naftën, i cili i ka edhe disa lehtësira për shitësit e karburanteve që periudhën e licencimin e cila ka qenë dy vjet e kthen në periudhë 6 vjeçare dhe në çdo licencim në çdo 6 vjet, njëri nga kushtet është edhe pastrimi dy herë brenda kësaj periudhe, çdo 3 vjet i rezervarëve të naftës”, tha Shala.

Ministri Shala tha se ka pasur ankesa edhe nga kompanitë që shesin derivate sepse fillimisht ideja për pastrimin e rezervarëve ka qenë që të bëhet çdo vit dhe më pastaj nga ekspertët është vendosur që kjo të bëhet çdo 3 vjet.

“Ka pasë ankesa se ideja e udhëzimit administrativ ka qenë duke e parë tregun në Republikën e Kosovës që kushti për pastrim të rezervarëve të jetë çdo vjet. Pas konsultimit me Shoqatën e Naftëtarëve dhe me institucionet e tjera relevante në Kosovë dhe duke i marrë praktikat e vendeve të rajonit dhe BE-së, nga ekspertët është vendosur që pastrimi i rezervarëve të bëhet çdo tri vjet”, tha ai për Ekonomia Online.

Ministri Shala ka theksuar se do të vazhdojë të punojë në kontroll dhe rritje të cilësisë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

“Kjo bëhet që cilësia e karburanteve që u ofrohet qytetarëve tonë të jetë në nivelin e duhur për arsye se ne kemi pasur ankesa të qytetarëve dhe institucioneve tjera që janë shërbyer me karburante që për shkak të mospastërtisë së rezervarëve ka ndikuar në kualitetin dhe cilësinë e naftës”, tha ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme