Shala: S’ka asnjë arsye të hiqet taksa, Serbia mbetet po ajo e njëjta

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 08:20 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është shprehur kundër heqjes së taksës 100% ndaj produkteve që vijnë nga Serbia.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Shala ka thënë se taksa ndaj Serbisë është vendosur si kundërpërgjigje ndaj agresionit të diplomacisë serbe e cila ndërmori për çnjohjet, por edhe për dëmtimin e imazhit të Kosovës.

Shala, që tashmë është deputet mendon se nuk ka asnjë arsye për heqjen e taksës, pasi që Serbia mbetet po ajo e njëjta.

“Duke marrë parasysh këtë agresion diplomatik të Republikës së Serbisë dhe qasjen e tyre deri tek tendenca për zhbërjen e vetë shtetësisë së Kosovës, atherë ne si Qeveri e Kosovës kemi qenë të detyruar që të marrim një vendim të tillë të aplikojmë masën dhjetë pqrind pastaj masën 100 përqind me produktet e Serbisë”.

Sipas Shalës, përderisa nuk eliminohen këto arsye agresive që e kanë detyruar Kosovën që të marrë një vendim të tillë, atëherë kjo masë duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi.

“Mendimi im dhe i Nismës Socialdemokratë është që përderisa nuk eliminohen arsyet që e kanë detyruar Kosovën që të marrë një vendim të tillë atëherë kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi”, ka thënë ai.

Edhe sa i përket reciprocitetit Shala ka shpjeguar se sa ishte ministër kishte dhënë urdhëresë që mallrat serbe të mos futeshin nëse të njëjtat nuk i referohen Kosovës.

“Kurse sa i përket reciporcitetit njëkohësisht sa kam qenë ministër kam marrë urdhëresë me vendim të qeverisë, së Republikën e Kosovës, se nuk do të lejohen që të futen mallrat serbe të cilat nuk i referohen Kosovës”, shtoi ai.

ShBA-ja vazhdon të kërkojë nga qeveria e Kosovës heqjen e taksës pa kushte, teksa kryeministri Kurti insiston në zëvendësimin e saj me reciprocitet.

Partneri i Kurtit në qeveri, LDK- ja mendon se taksa duhet të hiqet për t’i dhënë shansin arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

Ndërsa partitë që ishin në pushtet teksa u vendos taksa, PDK, AAK, Nisma, po e kundërshtojnë heqjen e saj, por edhe reciprocitetin.

Të ngjashme