Shala viziton kompaninë “Kivo”, i ofron mbështetje në rritjen e prodhimeve vendëse

Kaçanik | 05 Pri 2019 | 16:27 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka vizituar kompaninë “Kivo”, në komunën e Kaçanikut, e cila prodhon ambalazhe plastike, raporton Ekonomia Online.

Ministri Shala tha se ai si ministër ka shprehur gatishmërinë e tij, por edhe të Qeverisë së Kosovës që do të jetë në përkrahje të prodhimit vendës në mënyrë që të rritet edhe zhvillimi ekonomik.

“Është kënaqësi që të vizitojë kompani të tilla dhe prodhues të tillë, standarde të tilla të prodhimit, të trajtimit, të fuqisë punëtore në Kosovë. Ashtu siç u njoftova nga pronari i kompanisë me të gjitha ato kritere që i plotëson që nga prodhimi pastaj edhe në aspekt me punëtorin kosovar, unë i shpreha edhe njëherë gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës po ashtu edhe timen si ministër që do jem dhe do vazhdoj të jem në përkrahje të prodhimit vendor, që ta ndihmojmë dhe rrisim zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, ka thënë Shala.

Ai tha se kompanitë kosovare kanë arrit që produktet e tyre t’i kenë me standardet të larta dhe të pranueshme edhe në tregun e Bashkimit Evropian.

“Shumë shpejt pres ashtu siç diskutuam të vijmë edhe në hapjen e fabrikës tjetër, atë që do jetë më e madhja në Ballkan për riciklimin e plastikës. Jemi në një fabrikë e cila punëson mbi 100 punëtorë dhe një fabrikë në të cilën mbi 90 për qind e prodhimit të saj bëhet eksport në vendet e Bashkimit Evropian. Kompanitë kosovare, produktet e tyre kanë arrit t’i kenë standardet e tilla që të jenë të pranueshme edhe në tregun e Bashkimit Evropian. Ne ju përkrahim në lehtësimin edhe eliminimin e çdo barriere e cila mund tu shfaqet juve si biznes”, tha ministri Shala.

Pronari i kompanisë “Kivo”, Driton Ramajli, tha se ai dhe kompania e tij e morën mbështetjen e ministrit dhe MTI-së lidhur me problemet që mund t’i kenë në të ardhmen.

“Falënderojmë ministrin për vizitën në fabrikën tonë, ne patëm rast të diskutojmë për prodhimin këtu, morëm mbështetje nga ministri dhe ministria e tij që në të ardhmen problemet që mund t’i kemi, të na mbështesë në zgjidhjen e tyre”, u shpreh ai.

Të ngjashme