Shefja e USAID-it: Sundimi i ligjit kusht për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë | 30 Sht 2019 | 21:29 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Lisa Magno, tha se Prishtina duhet të tregojë përkushtim të vazhdueshëm në sundimin e ligjit për të pasur zhvillim të mirëfilltë ekonomik.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Magno tha se sundimi i ligjit është një ndër faktorët thelbësor për nxitjen e investimeve në vend.

Tashmë janë bërë 20 vjet që kur USAID ndodhet në Kosovë. Cilat janë disa nga arritjet kryesore të misionit tuaj në Kosovë gjatë kësaj kohe?

Magno: Më lejoni të filloj përgjigjen duke thënë se e gjitha ka të bëjë me partneritetin, suksesi që ne e kemi këtu është rezultat i drejtpërdrejtë i partneritetit në mes të njerëzve të Amerikës dhe atyre të Kosovës. Matësi im për suksesin ose të arriturat do të ishin institucionet të cilat vazhdojnë të jenë të gatshme, të qëndrueshme dhe të afta dhe të cilat vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre sipas mandatit që u takon përgjatë viteve, marrëdhënie të cilat vazhdojnë edhe kur USAID nuk është më aty.

Pra më lejoni të marr disa shembuj, i pari do të thosha është fondi i Kosovës për garanci kreditore, qasja është gjithmonë problematike posaçërisht për ndërmarrje të vogla e të mesme dhe përmes këtij fondi për të cilin investimi jonë ishte shumë modest dhe përfshin kontribute po ashtu të partnerëve tanë donatorë, ne kemi qenë në gjendje të ofrojmë kredi në vlerë prej 140 milionë dollarësh amerikanë. Një shembull i dytë për të cilin shumë prej shikuesve tuaj me siguri tashmë kanë dëgjuar janë mjedrat.

Me investimin e USAID mjedrat tashmë janë bërë industri masive eksportuese për Kosovën. Para se ne të fillonim ishin vetëm dhjetë hektarë të përkushtuara për mjedrat, kjo është shumëfishuar sepse tani janë 1300 hektarë me mjedra dhe kemi tre mijë fermerë që përfitojnë nga to. Unë ende e kam në mendje udhëtimin tim në qytetin e Podujevës ku ta zëmë shumë gra fermere të cilat ishin dikur të pa puna, tani mbjellin mjedra dhe kanë formuar një lloj koperative ku janë në gjendje të marrin vendime për veten e tyre, të fitojnë të ardhura dhe të ndihmojnë në mirëqenien e familjeve të tyre, posaçërisht fëmijëve të tyre.

Shembulli i fundit që do të jepja është po ashtu në fushën e agrikulturës dhe ka të bëjë me bimët mjekësore dhe aromatike, para se ne të fillonim investimet në këtë fushë ishin vetëm katër apo pesë pika grumbulluese dhe kjo tani është shumëfishuar po ashtu në rreth 50 pika grumbulluese dhe të paktën 12 mijë fermerë po përfitojnë nga mbjellja, tharja dhe eksportimi i këtyre bimëve. Për fund do të thosha se posaçërisht në këtë sektor kemi parë shqiptarët e Kosovës dhe fermerët serbë në Kosovë që punojnë shumë afër dhe bashkërisht sepse kur është biznes i mirë e tëra ka kuptim, pavarësisht se cilës pjesë i takon në kuptimin gjeografik apo se cili është etniteti yt. Pra këto janë disa nga arritjet me të cilat do të thosha jemi më së shumti krenar në Kosovë.

Ku është përqendruar tani puna e USAID-it në Kosovë?

Magno: Siç ka deklaruar ambasadori Philip Kosnett, përparësitë e misionit tonë në Kosovë janë paqja, drejtësia dhe prosperiteti, dhe më duhet të nënvizoj këtu që njëra pa tjetrën janë pothuajse të pamundura. Shumë njerëz flasin për punën, papunësinë dhe mundësitë për të fituar të ardhura këtu në Kosovë. Por kjo nuk është e mundur nëse nuk ekziston respekti për sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është jashtëzakonisht me rëndësi për investitorët vendorë dhe të huaj për t’i lënë paratë e tyre në Kosovë sepse u nevojitet siguri se kontratat do të bazohen në ligj, kushtet e kontratave do të respektohen.

Prandaj kemi dy projekte që i kemi nisur së fundmi të cilat e përmbushin njëri tjetrin. Njëri është qeverisja ekonomike që siguron se mjedisi biznesor është i përshtatshëm për investime dhe mundësi ekonomike në Kosovë si dhe siguron që mundësitë për korrupsion janë të papërfillshme. Ndërsa pjesa tjetër e kësaj është lansimi i një programi për drejtësinë komerciale, sepse kërkon ekspertizë të specializuar për gjykatat dhe gjykatësit që do të merren me rastet specifike që kanë të bëjnë me bizneset dhe kontratat e tyre.

Një tjetër fushë me rëndësi në të cilën ne kemi filluar të investojmë është rinia, derisa programet tona të mëhershme përfshinin rininë, ajo çka ne duam të bëjmë është të synojmë qëllimisht rininë. Mendoj se është shumë e qartë që Kosova është një vend me popullatë shumë të re, potenciali dhe talenti mund të vërehen këtu prandaj ajo që na duhet është krijimi i mundësive për të rinjtë jo vetëm që të jenë aktiv si qytetarë por të jenë aktiv në ekonomi.

Të ngjashme