Hapet Java e Parasë, BQK-ja dhe MAShT-i me marrëveshje për edukimin financiar

Prishtinë | 25 Mar 2019 | 10:26 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka hapur “Javën Ndërkombëtare të Parasë në funksion të Edukimit Financiar”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ceremoni është nënshkruar edhe Memorandumi i Mirëkuptimit në mes të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) dhe Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në kuadër të Edukimit Financiar.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se realizimi i këtyre projekteve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Institucionet Financiare do të ndikojë fuqishëm në avancimin e edukimit financiar.

Ai shtoi se viti 2019 do të jetë në fokus të mbrojtjes së konsumatorëve.

“Java e parasë ka rëndësi të veçantë për aktivitetet që do të zhvillohen. Kosovë është vendos në vëmendjen e arenës ndërkombëtare me aktivitetet të ndryshme dhe për faktin se kemi kuptuar nga banka qendrore se 2019 do jetë për mbrojtjen e konsumatorëve”.

Mehmeti u shpreh mirënjohës për bashkëpunëtorët për ndërtimin e një tregu financiar që trajton konsumatorët në mënyrë të drejtë.

“BQK-ja është duke zhvilluar edukimin financiar në funksion të stabilitetit financiar, në mbrojtjen e konsumatorit dhe gjithpërfshirjes financiare. BQK-ja është e përkushtuar të kontribuoj në rritjen ekonomike në vend dhe ngritjen e cilësisë në sektorin financiar dhe në mbrojtjen e konsumatorit”.

Sipas guvernatorit Mehmeti, edukimi financiar ndikon drejtpërdrejt tek të rinjtë për shfrytëzimin e parasë.

“Përmes edukimit financiar kemi adresuar shumë sfida, por ka ende punë për të bërë, sistemi financiar është duke ecur në zgjerimin e produkteve edhe programi i edukimit financiar duhet të ju përgjigjet këtij evoluimi”.

Ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi tha se i gëzohet lansimit të këtij programi për rritjen e cilësisë në edukim lidhur me edukimin financiar, raporton EO.

“Ne kemi nevojë ta kemi një pjesë të edukimit të mirë për shfrytëzim e drejtë të parasë dhe kjo vje nga të rinjtë tanë deri tek secili qytetarë, kjo javë ka filluar me bë një aktivitet të gjithanshëm për aktivitetet financiare edhe për ndarjen e çmimeve për nxënësit tanë, kjo është realizuar në bashkëpunim të MAShT dhe BQK që ka bërë një punë të madhe që meriton një falënderim”.

“Përgëzoj BQK-në për fillimin e lansimit të projektit të edukimit financiar që është realizuar nga Banka Botërore dhe partnerët tjerë ndërkombëtar që gjithë këta partner kanë shprehur gatishmërinë me ndihmuar”.

“MAShT ka qëllim të kemi edukim të mirë dhe ngritje të cilësisë dhe jemi të gatshëm me bashkëpunua me gjithë akterët që kanë interes me ndihmuar nivelin e arsimit të duhur”.

Bytyqi tha se do të bëhet shpërndarja e teksteve nëpër shkolla që kanë të bëjnë me edukimin financiar.

“Ne kemi nevojë të kemi bashkëpunime të ngushta për të ia rritur vlerën edukimit e arsimimit, këtij bashkëpunimi kanë ndihmuar organizata ndërkombëtare”.

Marco Mantovanelli, Drejtor i Zyrës në Kosovë nga Banka Botërore, tha se po bëhet planifikimi që transaksionet më afatgjate të jenë të pavarura dhe të mos varen nga remitencat.

“Ngritja e transparencës, përfshirja dhe përmirësimi i sistemit të pagimit në vend me partneritet me BQK jemi duke bërë programin rajonal për remitenca dhe pagesa që financohet nga SECO zviceran, program gjithëpërfshirës që ka të bëj me reformat ligjore, njohuritë financiare, përmirësimet që të rritet efikasiteti i transferuar dhe përdorimit të remitencave”.

Patrick Etienne, Drejtor i Zyrës në Kosovë të Sekretariatit Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), tha se përmirësimi i kornizave ligjore dhe përmirësimi i pagesave do të ngris shërbimin financiar.

“Fondet për punëtorët e jashtëm dhe remitencat e tyre janë të rëndësishme, në Kosovë është në masë të madhe e rëndësishme”.

Ai tha se çdo angazhim në këtë fushë të lehtësimit të remitencave do sjell rezultate të mira.

“Për të trajtuar aspektin e trajtimit dhe mënyrën e remitencave duke pas parasysh aktivitetet financiare mendojmë se është qasje e mirë është në ADN-në zvicerane me punuar dhe besojmë se sa më shumë që autoritetet të jenë afër me qytetar aq me llogaridhënës janë, në Kosovë niveli rajonal po punon me mirë në shërbimin e qytetarëve se sa institucionet qendrore”, tha ai.

“Programi ka rëndësi të madhe për ne dhe është mundësi e mirë për aspektin pozitiv të emigranteve për të lehtësuar remitencat dhe udhëheqësit e Kosovës të i japin një perspektivë më të mirë në Kosovë”.

Gjithashtu BQK-ja ka shpalosur projektet nga fusha e Edukimit Financiar të cilat do të realizohen falë bashkëpunimit dhe përkrahjes së Bankës Botërore, mbështetur nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO) dhe projekteve të mbështetura nga Fondi Evropian për Evropën Juglindore (EFSE).

Në fund është bërë ndarja e çmimeve për nxënësit fitues të konkursit “Mëso, Kurse, Fito”.

Drejtpërdrejt

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) hap “Javën Ndërkombëtare të Parasë në funksion të edukimit financiar”

Posted by EkonomiaOnline on Monday, March 25, 2019

Të ngjashme