Shoqata e Fermerëve kërkon vend për të hedhur tepricat ditore të shkaktuara nga vaji i palmës

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Fermerëve të Kosovës (SHFK) ka dalë me një reagim për derdhjen e qumështit në lumenjë nga fermerët.

Ata kanë thënë se pajtohen me brengën dhe ndjejnë keqardhje që janë pjesë e kësaj ndotjeje.

“Duam të sqarojmë këtu që për shkak të importit të pakontrolluar të vajit të palmës sektori i qumështit ka 70.000 litra tepricë qumështi në ditë. Për shkak që ky qumësht nuk mund të shkojë tutje në përpunim, meqë kërkesa është ngopur me produkte te vajit të palmës, atëherë ne detyrohemi në asgjësimin sa më të shpejt të tij. Në këto raste nëse nuk veprohet shpejt gjithë kjo sasi e qumështit mund të shkaktojë katastrofë edhe më të rëndë mjedisore”

SHFKQ ka bërë kërkesë ndaj institucioneve vendore që të u krijohet një vend apo mundësia që të asgjësojnë qumështin dhe të mos krijojnë probleme mjedisore.

“Ne ju sigurojmë që kjo tepricë e qumështit nuk do të jetë problem pas hyrjes në fuqi (me 15 shtator) të vendimit për ndalimin e importit të vajit të palmës”

“Kërkojmë ndjesë për ndotjen e shkaktuar, por jemi mbi 5000 fermerë, me rreth 30 mijë të punësuar dhe mijëra tjerë të involvuar në pikat e grumbullimit dhe fabrikat e përpunimit të qumështit që jemi të prekur në palcën e ekzistencës nga shkaktimi i këtyre tepricave të qumështit”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme