Shoqata e Gastronomëve kërkesë sektorit të gastronomisë: Kuponat fiskal të lëshohen me 8%

Prishtinë | 10 Dhj 2020 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, pas miratimit të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili parasheh lehtësimin e normës tatimore për gastronominë nga 18% në 8 sosh, iu ka bërë thirrje sektorit të gastronomisë ta zbatojnë vendimin e qeverisë.

Kjo shoqatë ka treguar se çfarë thotë ligji dhe, së këndejmi, iu ka bërë thirrje që të zbatohet dhe, sipas tyre, t’u ndihmohet qytetarëve dhe gastronomëve.

Ndryshe, Ligji për Rimëkëmbje u miratua të premten e kaluar, pas aprovimit të katër amandamenteve të shtuara në projektligj nga partia opozitare PDK.

Njoftimi i plotë:

NJOFTIM INFORMUES PËR BIZNESET E HORECA

Të dashur gastronomë,

Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, (këtu e tutje “Ligji”) që nga data 07/12/2020 ka hyrë në fuqi. Nga ky ligj kuptojmë që norma tatimore për gastronomi nga niveli 18%, do të reduktohet në 8%. Për më shumë kuptoni në tekstin vijues:

Neni 7 i këtij Ligji bën plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (këtu e tutje “Ligji për TVSH”).

Sipas këtij Ligji, neni 26 i Ligjit për TVSH, pas nën-paragrafit 2.13., shtohet një nën-paragraf i ri, me numrin rendor 2.14., me tekstin si në vijim:

2.14. furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit.

Nga kjo dispozitë nënkuptojmë që produktet si ushqimore, ashtu edhe të pijeve, të cilat shërbehen nga sektori i gastronomisë duhet të reduktohen nga norma tatimore 18%, në 8%.

Thënë ndryshe, arkat fiskale duhet të riprogramohen dhe kuponat fiskal duhet të lëshohen me 8%, pasiqë ky ligj është në fuqi dhe nga ky ligj tashmë si qytetarët ashtu edhe sektori i gastronomisë mund të përfitojnë duke kontribuar në normë tatimore të zbritur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme