Shtete tjera ndalin kriptovalutat për pasoja financiare, Kosova për energji

Prishtinë | 04 Jan 2022 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Që nga fillimi më 2009, kriptovaluta Bitcoin është përcjellë me polemika në gjithë botën. Në shumë vende investimi në kriptovaluta është konsideruar i rrezikshëm.

Ato kanë ndërmarrë masa të caktuara, e ka vende që tashmë e kanë shpallur ilegale. Megjithatë, listës së këtyre shteteve ku kriptovalutat kanë barriera nga shteti i është shtuar Kosova, por vetëm në mihje. Kjo me qëllim për të ruajtur energjinë elektrike.

Ka shumë shtete të fuqishme që nuk e konsiderojnë ilegale marrjen me kriptovaluta, por mundësia e pagesave nuk është e njëjtë në të gjithë botën. Disa shtete kanë caktuar limite se si mund të përdoret Bitcoini, e bankat ua kanë ndaluar transaksionet. Disa shtete kanë caktuar penallti për këdo që bën transaksione.

Tash listës së dhjetëra shteteve që i kanë shfaqur “pengesa” Bitcoinit dhe valutave digjitale i është shtuar pjesërisht edhe Kosova. Shteti ka vendosur të ndalojë mihjen si masë emergjente për energji.

Në një artikull të “Euronews” në nëntor ishin listuar disa shtete që i shohin të paligjshme ose që i kanë ndaluar pjesërisht kriptovalutat. Algjeria, Bolivia, Kina, Kolumbia, Egjipti, Indonezia, Irani, India, Iraku, Nepali, Maqedonia e Veriut, Rusia, Turqia e Vietnami ishin në këtë listë.

Të martën, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tregoi se javën e kaluar është vendosur që në nivel vendi të ndalohet prodhimi i kriptovalutave, në një vendim në kuadër të Masave të Emergjencës, për shkak të krizës që ka kapur vendin.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.

E eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, ka shpjeguar se si mund të zbatohet një vendim i tillë. Ai ka thënë se kjo mund të bëhet përmes provajderëve që do të mund të ndalonin mihjen përmes sistemit të parandalimit dhe detektimit.

Veriu i Kosovës raportohet të jetë “minierë” e vërtetë për mihje. Kjo për shkak se rryma për këto komuna viteve të fundit është paguar nga shteti.

Vitin e shkuar tregu i kriptovalutave preku shifra rekorde. Për momentin, një Bitcoin, si valuta më e njohur digjitale, ka vlerë gati 47 mijë dollarë.

Të ngjashme