Shteti rrezikon mbi 196 milionë euro borxhe nga paditë, ekonomistët bëjnë lidhjen me krimin e organizuar

Prishtinë | 19 Dhj 2020 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Kosova rrezikon humbjen e mbi 196 milion eurove nga detyrimet kontigjente. Këto detyrime kanë të bëjnë me kompensime për shpronësime, kompensim të borxhit, dëmit material, pagave dhe pretendimeve tjera financiare. Në ndërkohë ekonomistët lidhur me këtë çështje thanë se krimi i organizuar është njëri ndër rreziqet që i kanoset më së shumti Kosovës.

Hiç më pak se 196 milion euro borxh i ashtuquajtur kontingjent i ngarkohet buxhetit të Kosovës.  Në raportin për vitin 2019, Auditori i përgjithshëm ka vlerësuar se këto kanë të bëjnë me kompensime për shpronësime, kompensim të borxhit, dëmit material, pagave dhe pretendimeve tjera financiare në lidhje me to, shkruan Gazeta Express.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, në raportin e konsoliduar gjendja e detyrimeve kontingjente në RVF është paraqitur në total 192,337,757€, ndërsa vlera e këtyre detyrimeve sipas auditimit ishte 196,657,085€, apo me një nënvlerësim prej 4,319,328€.

Këto detyrime paraqesin pretendime të ndryshme nga ana e paditësve, që kanë gjasa në të ardhmen të krijojnë detyrime për organizatat, varësisht prej vendimeve të gjykatës të cilat mund të jenë në favor të palëve paditëse.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu në një deklaratë për Express, ka thënë se Kosova gjendet në fazat më të vështira qysh nga çlirimi për shkak të borxheve dhe padive. Këtu ai theksoi se politika e lidhur me krimin është njëri ndër rreziqet që i kanoset më së shumti vendit.

“Është e vërtetë që Kosova është duke kaluar në fazat më të vështira që nga çlirimi dhe këndej. Nuk kemi të bëjmë vetëm me pandeminë Covid-19 dhe pandeminë e çështjen sociale por duhet të kuptohet se politika e lidhur me krimin është rreziku më i madh që po i kanoset Kosovës. Ne e dimë fare mirë që ka qenë mjaft shqetësuese kur para disa ditësh vet ministri i Drejtësisë, paralajmëron që Kosova ka gjasë që Kosova ti humb më shumë 300 milion euro në gjykata të ndryshme të arbitrazhit”, ka thënë ai për Express.

Mos gjetja e fajtorit për humbjen e miliona eurove ndër vite, sipas Gërxhaliut e dëshmon më se miri rrezikun në të cilin ndodhet Kosova dhe stabiliteti financiar në vend.

“Besoj që e tëra kjo dëshmon që në Kosovë shumë më tepër luftohet për të dëmtuar shtetin sesa për të mbrojtur shtetin dhe lidhjet e politikës me qarqet e caktuara ligjore janë rreziku më i madh i cili po i kanoset Kosovës dhe vet fakti që deri më sot janë paguar miliona e miliona dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi pse kanë ndodhur këto, kush është fajtor,  kush është nënshkrues e dëshmon më së miri rrezikun në të cilin ndodhet Kosova dhe e tëra kjo rrezikon edhe stabilitetin financiar sepse nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë me pagesat të llogarive ose të vendimeve të pambrojtura ose të kriminalizuara atëherë rrezikohet ardhmëria e Kosovës”, ka deklaruare Gërxhaliu.

Zgjidhja e të gjitha këtyre problemeve sipas ish-kryetarit të OEK-ut, do të ishte forcimi i sundimit të rëndit dhe ligjit, si dhe rritja e llogaridhënies në institucione.

“Duhet që të kuptohet se faktori kyç për zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit dhe derisa nuk do të kemi sundim të rendit dhe ligjit nga i cili do të rritet llogaridhënia qoftë individuale qoftë institucionale shumë më tepër do të dëmtohet shteti sesa që do të fitojë shteti. Në këtë drejtim besoj që duhet të ketë një llogaridhënie më të madhe. Të gjitha këto padi dhe këto lëndë që humbin në dëm të shtetit dhe qytetarëve janë të dizajnuara nga vet të punësuarit në administratën publike të cilët marrin pagë nga Qeveria, marrin pagë nga djersa e qytetarëve por paguhen shumë më tepër nga qarqet e caktuara të krimit të organizuar”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, ka thënë për Express se ka pasur një abuzim dhe keqpërdorim 20-vjecar të buxhetit, e që sipas tij paditë janë normalisht të pritshme.

“Tani është hapur kutia e Pandorës e një abuzimi dhe keqpërdorimi 20 vjeçar të buxhetit duke dëmtuar paranë e taksapaguesve me politika të dëmshme ekonomike duke keqpërdorur buxhetin në çdo hap ku përveç abuzimit me tenderë krahas tij dhe abuzimin me kompensime  dhe në momente të caktuara duke mos mundur me ju përgjigj   pronarëve të tokave e cila ka rezultuar me padi normalisht e kuptueshme dhe e pritshme”, ka thënë ai.

Kadrijaj theksoi se është shqetësuese që Kosova të rrezikojë humbjen e afër 200 milion eurove si rezultat i borxheve dhe padive.

“Në këtë rast është për tu shqetësuar për një vlerë afër 200 milion euro duke marr parasysh buxhetin e  varfër që ka Kosova,. Njëherësh po përballemi me pandemi e cila çdo ditë e ngarkon buxhetin me shpenzime. Prona private është e shenjt por njëherësh interesi kombëtar është mbi të gjitha për faktin që nuk mund të ndalen investimet kapitale nga pronarët e tokave e them këtë për faktin që shteti duhet të vlerësoi në bazë të kategorisë së tokave dhe vendit por jo të negocioi me pronarët sepse ambiciet për kompensim janë astronomike ku si rezultat kanë mbetur shumë investime në gjysmë”, ka thënë më tutje Kadrijaj

Të ngjashme