Shtrirja e pasurive nëntokësore të Kosovës

Prishtinë | 02 Sht 2018 | 09:36 | Nga

Debati i ditëve të fundit mbi marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka ngjallur interesim të madh tek politikanët, por edhe qytetarët.
Ndërkaq kur flitet për temën mbi korrigjim të kufijve apo shkëmbimin e territoreve, ajo që më shumë përmendet janë pasuritë e Kosovës, në pjesën veriore të territorit.

Përveç liqenit artificial të Ujmanit, Trepça dhe pasuritë e saj janë temë diskutimi. Por, si janë të shtrira pasuritë nëntokësore të Trepçës, bazuar në hulumtimet dhe studimet e kryera nga ekspertët dhe si janë të shtrira ato në pjesën tjetër të Republikës.

Pasuria e Trepçës vlen dhjetëra miliarda euro, nga rezervat dhjetëra milionëshe që i ka të plumbit dhe zinkut, por jo vetëm. Në 4 minierat e Leposaviqit, nga të cilat dy janë joaktive, ndodhen rreth 7% të rezervave të plumbit dhe zinkut, ndërsa në pjesën tjetër të Republikës, konkretisht në minierën e Stan Tërgut, atë të Artanës dhe minierat tjera me vendburime janë rreth 93% e pasurisë nëntokësore.

Kështu thotë drejtorit menaxhues i Trepçës, Miftar Hyseni, sipas studimeve të bëra nga ekspertët e Trepçës.

“ 39-40 milion janë e minierës së Stan Tërgut, janë 21 deri në 22 milion në vendburimet e minierës së Artanës, Kishnicës, Badovcit etj, që në përqindje kjo i bie 33 % dhe 7-8 milion janë në minierat e Bellobërdos , Cërnacit dhe minierat tjera që nuk janë aktive atje që i bie rreth 7 % të rezervave të tërësishme”, tha Hyseni.

Edhe drejtues të Sindikatës i pohojnë shifrat e njëjta, duke u bazuar në këto dy studime nga ekspertët e Trepçës. Por ata nuk pajohen me studimin e fizibilitetit të AKP’së të bërë para dy vjetësh.

Sipas, Shyqyri Sadikut – Kryetar i Sindikatës së Trepçës, përveç plumbit e zinkut, thuhet se janë rreth 82 minerale që nxirren nga vendburimet e Trepçës.

“Deri më tash nga vendorët është bërë një studim fizibilitet 2006, diku kanë qenë rreth 60 milion ton rezerva të plumb zinkut, në minierat e Kosovës në këtë rast po flas, dhe është bë një fizibiltiet në vitin 2010 që janë definu të tilla rezervat që e potencova edhe ma herët, atje rezervat sillen diku prej 4 milion e 431 mijë ton, që në % është 7.54 %, ndërsa rezervat në pjesën knej tu e marrë minierën e Stand Tërgut që dominon me 67.9 % dhe miniera e Artanës me minierat e Kishnicës dhe Hajvalisë i ka me 24.5 %, ose me ton, Stan Tërgu me minierat përreth i ka 39 milion de 901 mijë ton, ndërsa minierat i kanë 14.4 milion ton rezerva”, tha Sadiku.

Përfaqësuesit e Trepçës thonë se Trepça mund të bëhet shtyllë e zhvillimit ekonomik të vendit, vetëm se duhen bërë investime.

”Për këtë duhet me investu, duhet me u marrë çështja e Trepçës shumë serioze duhet në rend të parë me u zhvillu minierat, me u rrit prodhimi në miniera për me pas metalurgji e pastaj me i zhvillu metalurgjitë”, tha Hyseni.

Hyseni thotë se shkritorja në Zveçan është tërësisht jashtë funksionit, por që me një investim prej rreth 90 milionë eurosh, mund të ndërtohet një shkritore e re, që do ta rriste edhe më shumë vlerën e pasurive nëntokësore të Trepçës.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/shtrirja-e-pasurive-nentokesore-te-kosoves-572061/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme