Si do t’i rriste Kosova Investimet e huaja përmes krijimit të Tregut të Kapitalit?

Prishtinë | 05 Jan 2022 | 11:06 | Nga Ekonomia Online

Kosova është vendi me numrin më të ulët të investimeve të huaja në rajon. Por një tentativë e mundshme për krijimin e Tregut të Kapitalit në Kosovë, vlerësohet se do t’i sjellë vendit përfitime të shumta, sidomos në fushën e investimeve të huaja direkte.

Florin Aliu, një njohës i ekonomisë, thotë për Buletinin Ekonomik se Tregu i Kapitalit do t’iu mundësonte kompanive vendore të kenë mundësi të bëhen edhe korporata ndërkombëtare, ose të paktën disa prej tyre mund ta kenë këtë potencial.

Sipas Aliut, kompanitë tona shtetërore, përmes këtij tregu do të mund të ktheheshin në kompani publike, ku qytetarët e Kosovës, diaspora kosovare dhe investitorët ndërkombëtarë do të bëheshin pronarë të tyre.

Kështu, ekonomisti Aliu vlerëson se tregu i kapitalit në vend do të mundësonte jo vetëm transferimin e pronësisë, por edhe ristrukturimin e ndërmarrjeve tona, përcjell Buletini Ekonomik.

Edhe përfitimet e vendeve të rajonit që tashmë kanë një treg të tillë kapitali, janë të shumta, sidomos në sektorin e investimeve të huaja direkte, thotë ai.

Aliu thotë se Kosova posedon një diasporë shumë të madhe dhe që e njëjta fatmirësisht është shumë e lidhur për vendin e vet. Por, sipas Aliut do të ishte e pakuptimtë nëse iu kërkojmë diasporës të vijnë të investojnë dhe të hapin kompani në Kosovë, derisa ata jetojnë nëpër vendet e huaja. Mirëpo, një Treg i Kapitalit i konsoliduar, do t’iu mundësonte atyre që në mënyrë të drejtpërdrejtë të bëhen pronarë të kompanive vendore, duke blerë aksione të tyre.

Për vet faktin se potenciali financiar i diasporës është shumë i madh, Aliu shton se tregu i kapitalit do të ishte një mundësi e mirë për mobilizimin e këtij potenciali tani.

Florin Aliu thekson tutje se kompanitë publike në vend asnjëherë nuk do të mund të operojnë me fitime nëse nuk listohen në bursë dhe të kthehen në kompani të njerëzve, pasi sipas tij shteti e ka të pamundshme të menaxhojë kompani sepse ky dështim është i vërtetuar edhe në vende tjera.

“Pamundësia e shtetit për të menaxhuar kompani gjen shpjegimin në konceptet bazë të kapitalizmit që është maksimizimi i fitimit. Prandaj, nëse këto kompani si KEK-u, Telekomi, etj., do të jenë nën menaxhim të shtetit, kostot sociale dhe buxhetore do të jenë shumë më të larta sesa përfitimet. Tregu i kapitalit mundëson që këto të jenë të kontrollueshme jo vetëm nga një pronar por nga mijëra e ndoshta edhe miliona pronarë”, shton Aliu në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik.

Edhe pse në qarqet financiare të Kosovës akoma shfaqet dyshim, mbase edhe frikë, nga mungesa e përvojës dhe të njohurive bazë për të administruar Tregun Financiar, Aliu thotë se Tregu i kapitalit në vend do ta ndryshojë mentalitetin se si duhet të qeverisen kompanitë tona. Në rastet e tilla, struktura korporative e kompanive do të marrë formë tjetër, ku menaxhmenti dhe pronarët janë të ndarë, gjë që mundëson menaxhim dhe përformancë më të mirë të ndërmarrjeve të listuara në bursë.

“Pra, ndryshimi i mentalitetit në qeverisjen e kompanive që do të impononte tregu i kapitalit, mbase mund të jetë njëra nga arsyet e këtij hezitimi”, përfundon Aliu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme