Sindikalistët e shërbimit civil kundërshtojnë Projektligjin për pagat, paralajmërojnë grevë e protesta

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 12:12 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sindikalistët e shërbimit civil, në një konferencë për media shprehën shqetësimin e tyre lidhur me pozitën e nëpunësve civilë, duke thënë se Projektligji për pagat nuk duhet të kalojë në kuvend si i tillë, për shkak se nëpunësit civilë janë duke u diskriminuar.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, paralajmëroi edhe “veprime në dëm të qeverisë” nëse nuk merren veprime për përmirësimin e pozitës së shërbyesve civilë, raporton Ekonomia Online.

“Reagimi është i masës së gjerë, sepse shërbyesit civilë po ndihen të diskriminuar, të lënë anash. Është faji i kryeministrit që po lejon kësi dallimi. Edhe gjysmë ore para se me u nis për qeveri, Projektligji ka pasë ndërhyrje nga personat e caktuar”.

Sipas Zymberit,  me këtë projektligjt pozita e shërbyesve civilë do të jetë e pafavorshme.

“Me këtë projektligj pozita e shërbyeseve civilë do të jetë e pafavorshme, do të ketë një dallim të madh në pagat. Tash kur të gjithë shikojnë të pozicionohen, shërbyesit civilë po mbesin anash dhe jemi të detyruar të marrim vendime për barazinë”.

Ai u bëri apel nëpunësve civilë të përgatiten për, siç tha ai, zhvillimet që do të marrin kahje tjetër, raporton EO.

“Që nga ky moment i bëj apel të gjithë nëpunësve civilë të përgatiten për zhvillimet që do të marrin kahje tjetër. Vendimi do të jetë shumë i rëndë për qeverinë, sepse asnjëherë nuk e llogaritën punën tonë si administratë e shtetit, si motor i shtetit”.

“I lus deputetët që të kenë parasysh pozitën e shërbyesve civilë e të mos lejojnë dallime në pagat. Do i presin nesër pasnesër nëse nuk i marrin parasysh kërkesat tona, sepse veprimi  sindikal është i pandalshëm. Fillimisht është greva në vendit të punës dhe fillon protesta, kur fillon protesta nuk marrim përgjegjësi”.

Zymberi paralajmëroi se protestë për pozitën e shërbyesve civilë më 4 tetor do të mbajnë ata të Vushtrrisë.

Remzie Zekolli, anëtare e kryesisë së sindikalistëve të shërbyesve civilë, tha se para Komunës së Vushtrrisë do të protestohet për një orë.

Të ngjashme