Sindikata e Telekomit kundër uljes së pagave, Balaj kërkon hetime në kontratat e dëmshme

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj në “Express Intervistën” ka folur rreth vendimit të fundit të Bordit për uljen e pagave për 10 për qind në Telekom.

Ai ka thënë se lajmin për zbritjen e pagave e kishin marrë më 3 janar.

“Më datë 3 janar pa paralajmërim na është ardhur një email ku na është thënë se pagat na janë zbritur për 10 për qind. Telekomi ka filluar të këndellet. Sindikata nuk është konsultuar për këtë vendim”, u shpreh ai.

Balaj ka bërë të ditur se dje kanë mbajtur një takim me Bordin e Telekomit ku kanë bërë kërkesat e tyre.

“Asnjëherë nuk e kemi mohuar se Telekomi nuk ka qenë në gjendje të mirë, gjithmonë kemi thënë se këtë gjendje e kanë sjellë bordet dhe keqmenaxhimi, dhe kemi pasur kontrata të dëmshme që e kanë sjellë në këtë gjendje. Bordi është justifikuar se është një gjendje shumë e rëndë financiare”, ka thënë Balaj.

Ai ka bërë të ditur se Telekomi ka rreth 2500 punëtorë.

“Ne duhet t’i paguajmë borxhet, por kemi kërkuar mirëkuptim. Një pjesë e madhe e kontraktorëve kanë filluar të largohen. Tashmë është parë se Telekomi nuk falimenton. Telekomi i ka rreth 2500 punëtorë, nuk mund të them nëse është numër i madh, këtë e dinë ekspertët. Kemi filluar të marrim situatën në dorë”, ka thënë Balaj.

Sipas Balaj punëtorët në Telekom ishin të papunë shkaku se shumë punë i kryenin kontraktorët, madje edhe kur ato do të mund të kryheshin nga punëtorët. E ai kërkon që tani puna t’u kthehet punëtorëve.

Balaj ka kërkuar hetime ndaj atyre që kanë dëmtuar Telekomin.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Telekom nuk ka ndodhur askund. Secila kontratë është që është lidhur ishte në dëm të Telekomit. Dy kompani vendore të shkojnë në arbitrazh ndërkombëtar ndodh vetëm në Kosovë. Duhet të hetohen bordet e menaxhmentet dhe të gjithë ata që i kanë shkaktuar dëme Telekomit”, ka thënë Balaj.

Sipas tij edhe njerëzit brenda vet Telekomit kanë bërë dëme të mëdha, siç është rasti me shpërndarjen e antenave.

“Pas takimit me Bordin i kemi qitë në tavolinë të gjitha shqetësimet, e njëra prej tyre është edhe keqmenaxhimi dhe është diskutuar edhe për dëmet që kanë shkaktuar edhe vet njerëzit brenda Telekomit. Kemi arritur të evidentojmë se një pjesë e madhe e dëmeve janë bërë edhe për shkak të shpërndarjes së antenave vend e pavend. Janë vendos antena aty ku nuk ka nevojë. E për këtë kemi diskutuar edhe me bordin që kanë dërguar antena nëpër familjarët e tyre”, u shpreh ai.

Tutje Balaj ka treguar se kanë kërkuar pezullimin e vendimit për zbritjen e pagave deri në muajin mars, kur merret vendimi nga Kushtetuesja rreth Ligjit për Paga.

“Ne kemi kërkuar nga Bordi që të pezullojë vendimin për zbritjen e pagave deri më datën 31 mars dhe nuk mund të shkojmë në zbritje të pagave pasi nuk e dimë nëse do të jemi pjesë e Ligjit për Paga. Gjithashtu kemi kërkuar një ristrukturim në paga, pasi ka diskrepancë të madhe. Kjo ndodhë për shkak të afërsisë dhe lidhjeve dhe për shkak të menaxhimit jo të mirë, dhe duhet të ndërhyjnë burimet njerëzore dhe prokuroria”, u shpreh Balaj.

Tutje ai ka folur edhe për shërbimet e dobëta, për të cilat thotë se mund të përmirësohen brenda gjashtë muajve nëse arrihet marrëveshja me Nokian.

“Jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes me Nokian dhe besoj se brenda gjashtë mujorit të parë konsumatorit do t’i kthehen të gjitha shërbimet e mira. Një pjesë e madhe e kontratave janë shkëputë. Si Sindikatë kemi kërkuar në vazhdimësi që të hetohen dëmet që i janë bërë Telekomit. Vala është e Kosovës por po shkatërrohet nga klane të ndryshme, dhe kanë pasur përkrahje të madhe nga politika dhe grupe të interesit”, tha ai.

Balaj ka konfirmuar se tashmë në krimet ekonomike janë dërguar 15 kontrata të dëmshme.

“Në maj bëhen dy vite ku si Sindikatë kemi dërguar në krimet ekonomike mbi 15 kontrata që janë shkaktuar dëme mbi 300 milionë euro. Besoj se Prokuroria nuk duhet me heshtë dhe nuk ka me heshtë. Përmes kërkesës së ristrukturimit i tregon punëtorit se ku duhet të punojë. Ka raste të ndryshme kur edhe njerëzit nga 60 vjeç janë punësuar. Sa u përket punësimeve do të ishte mirë që Prokuroria të hetojë”, thotë ai.

Ai thotë se s’mund të pranojnë ulje të pagave pa i shtjerrë të gjitha mundësitë.

“Realisht punëtorët nuk duhet të shqetësohen sepse kërkesat tona kanë qenë të qarta. Pa i shtjerrë të gjitha mundësitë, ndoshta duhet të presim edhe ardhjen e Qeverisë, nuk mund të pranojmë ulje të pagave e në asnjë mënyrë një ulje të tillë, e cila është bërë me koeficient 10 dhe 20 për qind”, tha Balaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme