S’ka afat shtesë për shlyerjen e borxheve

Prishtinë | 23 Kor 2016 | 08:45 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më 2 shtator të këtij viti shfuqizohet Ligji për faljen e borxheve publike dhe deri atëherë borxhlinjtë mund të aplikojnë për të lidhur kontrata për të shlyer borxhet. Andaj, nuk do të ketë afat shtesë për shlyerjen e borxheve publike.

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se për shtyrje të afatit të shlyerjes së borxheve publike mund të vendos vetëm Kuvendi i Kosovës nëse ndryshon ligjin.

“… ky është ligj. Nëse Kuvendi i Kosovës vendos të ndryshojë ligjin, ajo është çështje tjetër, por tani ligji është i qartë mbaron me 2 shtator”, ka thënë ministri Hoti.

Sa u përket ndryshimeve fiskale ministri Hoti ka thënë se pakoja e re fiskale i ka pasur dy qëllime bazike: Për të ulur koston e jetës së qytetarëve, dhe të nxitë zhvillimin ekonomik. Kjo e fundit sipas tij, ka dhënë rezultate të mëdha.

“Vitin e kaluar ne e kemi përmbyllë me një rritje ekonomike që ka qenë më e larta në regjion, ka qenë rreth 4 për qind, sivjet prapë trendët janë shumë të mira dhe presim të përmbyllim vitin me rritje ekonomike me mbi 4%. Të gjitha trendët janë më të mira se vitin e kaluar. Edhe tek të hyrat buxhetore që kanë treguar një trend rritës që shkon afër 10% në Administratën Tatimore dhe rreth 20% në Doganë, investimet e jashtme janë në trend rritës në këtë gjashtë mujor…”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai thotë se sipas vlerësimeve që kanë bërë në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, shporta e konsumit është liruar për rreth 40-45 euro për familje.

Ministri Hoti thotë se gjatë kësaj qeverisje ka ndryshuar modeli i zhvillimit ekonomik, duke u gjeneruar nga sektori privat.

“Për herë të parë po ndërron pak modeli i zhvillimit ekonomik duke gjeneruar nga sektori privat. Sektori publik normalisht po e ndihmon atë duke krijuar infrastrukturën e nevojshme fizike dhe infrastrukturën ligjore, por sektori privat është ai që po e shtynë përpara zhvillimin e vendit”, ka deklaruar ai.

Ministri ndër të tjerash ka folur edhe rreth bashkimit të dy agjencive taksambledhëse: Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës të cilat mbushin buxhetin e shtetit. Ai thotë se bashkimi i dy agjencive Doganës dhe Administratës do të fillojë në janar të vitit 2017.

Ministri Hoti ka pritje të mëdha nga bashkimi i Administratës Tatimore dhe Doganës, kryesisht në luftimin e informalitetit.

“Ligji është gati. Pas disa konsultimeve që jemi duke i zhvilluar me Komisionin Evropian, besoj që shpejtë do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend në momentin që aprovohet ligji në Kuvend neve na duhet një periudhë prej 3-6 muaj për të bërë përgatitjen e nevojshme për të funksionalizuar Agjencinë. Plani jonë inicial ka qenë që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojmë, dhe ende qëndrojmë në atë objektivë, prej janarit të vitit të ardhshëm, por të shohim sa shpejtë mund ta aprovojmë ligjin nëpër strukturat e kuvendit”, potencon ai.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se numri i veteranëve të luftës së UÇK-së prej mbi 40 mijë, të cilët janë përfitues të pensioneve është shumë më i lartë sesa parashikimet dhe planifikimet dhe kjo kategori e ka vënë në pozitë të vështirë Buxhetin e Kosovës se si ta mbulojë një shpenzim kaq të madh. Mirëpo, muaji shtator pritet të jetë vendimtar për këtë kategori, pasi që atëherë ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) planifikon të vizitojë Kosovën, kur edhe do të diskutohet kjo çështje ndërmjet misionit dhe Qeverisë së Kosovës. Ai ka theksuar se kanë harmonizime me FMN-në rreth buxhetit për pagesat e veteranëve, kur dihet që FMN-ja ka dhënë vërejtje për numrin e madh të veteranëve.

Gjatë intervistës ministri Hoti ka folur për investimet publike, investimet e huaja, buxhetin e rishikuar të vitit 2016, impaktin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim ka filluar së zbatuari nga 1 prilli i këtij viti, çështje tjera.

INTERVISTA E PLOTË:

avdullah hoti1

EO: Çështja e veteranëve është përfolur shumë, të dhënat e fundit tregojnë numrin prej mbi 40 mijë aplikime veteranë, a mund të rrezikohet buxheti me pagesat për pensionet e veteranëve?

Hoti: Të dhënat tregojnë se janë lëshuar rreth 46 mijë certifikata për veteranët e luftës. Ndërkaq, numri i aplikantëve për të tërhequr pensionet është rreth 27 mijë. Në muajin fundit ne kemi pagur rreth 25 mijë veteranë. Ky numër është shumë më i lartë se sa parashikimet dhe planifikimet që i kemi bërë ne për këtë vit, gjithmonë në konsultim të ngushtë me shoqatat e dala nga lufta. Ne kemi filluar vitin e kaluar në tre mujorin e fundit të paguajmë pensionet për veteranët e luftës dhe atëherë na është thënë që numri maksimal i atyre që mund të tërheqin pensionin si veteranë janë rreth 12 mijë deri në 13 mijë persona, kurse numri i certifikatave që janë lëshuar dhe numri i aplikantëve për të tërhequr pensionet është shumë fish më i lartë se sa planifikimet fillestare. Normalisht që kjo na nxjerre neve në pozitë të vështirë se si ta mbulojmë këtë shpenzim kaq të madh. Ne jemi në konsultim të ngushtë edhe me shoqatat e dala nga lufta se si ta adresojmë këtë, sepse është jashtë çdo parashikimi. Unë po e theksoj edhe një herë që nëse ndonjë kategori shoqërore e popullsisë në Kosovë meriton të ketë mbështetje nga buxheti i shtetit të Kosovës janë veteranët e luftës, por duhet të kujdesemi që numri i tyre të jetë i menaxhueshëm dhe kostoja e përballueshme për buxhetin e vendit.

EO: A keni harmonizime me Fondin Monetar Ndërkombëtar rreth buxhetit për pagesat e veteranëve, FMN-ja ka dhënë vërejtje për numrin e madh të veteranëve, sepse pagesat e tyre ndikojnë në buxhet?

Hoti: Po, sigurisht. Duke e ditur që kemi filluar prej një planifikimi prej 13 mijë ose 13 mijë veta dhe kemi përfunduar me 46 mijë është më se e qartë se jemi jashtë planifikimit për një marzhë bukur të madhe. Ne kemi diskutuar me Fondin Monetar Ndërkombëtarë në vizitën që e patën në maj në Prishtinë, mandej gjatë qershorit të këtij viti, dhe presim që prapë të vijnë në shtator të diskutojmë me ta se si mund t’i qasemi kësaj.

EO: Flasim pak për reformat fiskale.. Pakoja fiskale e cila hyri në fuqi në shtator 2015 po vlerësohet se nuk ka ulur çmimet për konsumatorët e fundit?

Hoti: Tash janë dy çështje, se pakoja fiskale i ka pasur dy qëllime bazike, e para ka qenë të ulë koston e jetës të qytetarëve, dhe tjetra të nxitë zhvillimin ekonomik. Kjo e dyta e zhvillimit ekonomik ka dhënë rezultate bukur shumë. Vitin e kaluar ne e kemi përmbyllur me një rritje ekonomike që ka qenë më e larta në regjion me rreth 4 %, sivjet prapë trendët janë shumë të mira dhe presim të përmbyllim vitin me mbi 4 % rritje ekonomike. Ju e dini kemi liruar të gjitha makineritë prodhuese të gjitha lëndët e para nga pagesa e TVSH-së në kufi, dhe gjithashtu me udhëzim administrativ kemi liruar plot impute të tjera edhe nga taksa doganore. Kjo normalisht ka pasur efekte në Buxhetin e shtetit, sepse janë zvogëluar të hyrat buxhetore si rezultat i këtyre lirimeve, por efektet kanë qenë me rritjen e investimeve, dhe të dhënat preliminare për vetëm tre muajt e fundit, tregojnë për investime që tejkalojnë 30 milionë euro si rezultat i pakos fiskale që është ndërmarrë në muajt e fundit të vitit të kaluar. Tek pjesa e kostos së jetesës, ne kemi ulur TVSh-në nga 16 në 8% për mallra elementare. Tash, çmimet e disa prej mallrave që kanë kaluar prej 16-8% përcaktojnë tregun e hapur. Pra, është oferta dhe kërkesa në treg që i përcakton çmimet e atyre mallrave. Por, janë disa që përcaktohen përmes rregullatorëve, është çmimi i energjisë elektrike, i ujit, mbeturinave, i ngrohjes dhe shërbimeve të tjera që përcaktohen përmes kornizës ligjore që është në fuqi, dhe për këto konsumatorët kanë marrë fatura nga shatori i vitit të kaluar me zbritje për gjysmë më pak se sa kanë paguar më parë. Vlerësimi që ne kemi bërë për tre muajt e fundit të vitit të kaluar, shporta e konsumit është liruar për rreth 30-35 euro më pak për familje. Kësaj i shtohen edhe kuponët fiskalë, kur kemi filluar në tre mujorin e dytë të vitit të kaluar, ku çdo familje sërish ka marrë një pjesë të TVSh-së që e ka paguar për shtetin, pra bëhet fjalë për 40-45 euro më lirë e shportës familjare se sa që ka qenë më parë. Nuk besoj se është pak, duke ditur të ardhurat mesatare prej 300 deri në 350 euro për familje në Kosovë.

EO: Viti 2016 a pritet të përmbyllet më i suksesshëm sa i përket zhvillimit ekonomik?

Hoti: Të gjitha trendët janë më të mira se vitin e kaluar. Edhe tek të hyrat buxhetore që kanë treguar një trend që shkon afër 10% në Administratën Tatimore, dhe shkon rreth 20% në Doganë, investimet e jashtme janë në trend rritës në këtë gjashtë mujor. Norma e interesit është stabile dhe ka rënë më tutje, përqindja e kredive të këqija që tregon në një çfarë mënyre performancën e bizneseve në treg është në rënie e sipër. Tash kishim një konfirmim nga Banka Botërore për përmirësimin e ambientit të bërit biznes për 35 vende më mirë se sa kemi qenë vitin e kaluar, sepse janë përmirësuar procedurat e të bërit biznes sa i përket pagesës së taksës, procedurave doganore regjistrimit të biznesit dhe procedurave të tjera, dhe krejt këto janë indikatorë që viti 2016 me siguri të madhe përmbyllet më mirë se sa viti 2015.

EO: Investimet publike a po zhvillohen në sektorë që garantojnë zhvillim ekonomik? Këtë vit sipas trendit në gjashtë muajt e parë a do të ketë rritje të investimeve të huaja?

Hoti: Nëse flasim për investimet publike që janë kryesisht në rrugë, në shkolla, në infrastrukturë tjetër, në masë të madhe shkojnë për zhvillim ekonomik. Së paku projektet e mëdha të cilat janë të lidhura me klauzolën e investimeve. Ju e dini, ne tanimë kemi nënshkruar një marrëveshje për hekurudhat që shkon deri në 195 milionë euro, projekt që i lidh hekurudhat e Kosovës me rrjetin e hekurudhave me regjion dhe më tutje. Unë besoj që kjo do ta bëjë Kosovën vend transit dhe do të zvogëlojë koston e transportit të mallrave. Por plot projekte kapitale janë të lidhura edhe me cilësinë e jetës, ta zëmë furnizimin me ujë ose rrugët lokale nëpër lokalitete të ndryshme. Pavarësisht kësaj, analizat tregojnë edhe të Bankës Botërore edhe të institucioneve të tjera që janë investimet private ato të cilat po gjenerojnë zhvillime ekonomik që nuk kanë qenë më përpara. Por, për herë po ndërron pak modeli i zhvillimit ekonomik duke gjeneruar nga sektori privat. Sektori publik normalisht po e ndihmon atë duke krijuar infrastrukturën e nevojshme fizike dhe infrastrukturën ligjore, por sektori privat është ai që po e shtynë përpara zhvillimin e vendit.

EO:Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin e rishikuar 2016, cilat janë ndryshimet kryesore?

Hoti: Ndryshimet kryesore janë këto: për shkak të performancës shumë të mirë që i kemi pasur në gjashtë mujorin e parë ne kemi rishikuar parashikimin e të hyrave dhe për sivjet ne e kemi rritur kufirin e të hyrave për 33 milionë euro, që është hera e parë që me rastin e rishikimit në vend se të bëhen shkurtime buxhetore, ose riorganizime të ndryshme ne e kemi rritur parashikimin të hyrave dhe kemi futur projekte të reja. Pothuajse në të gjitha lokalitete, në të gjitha komunat, në të gjitha ministritë, ka projekt të reja, në rrugë kryesisht, disa në shkolla, kulturë, sport dhe nëpër sektor të tjerë. Pra ndryshimi kryesor është ky…Ndryshimi i dytë shumë i rëndësishëm është që ne kemi identifikuar për shkak të politikës së kursimeve që ka qeveria dhe vet kryeministri, kemi identifikuar 5 milionë euro kursime vetëm në ministri, në organizata buxhetore të nivelit qendror, duke mos i prekur ato shpenzime që janë vitale – ta zëmë furnizimi me barna, ose sektorë të tjerë që janë shumë të ndejshëm. Janë vetëm, kursime në mallra dhe shërbime të organizatave buxhetore që nuk e prekin cilësinë e shërbimeve që Qeveria ofron për qytetarët dhe për bizneset. Edhe janë rreth 27 milionë të tjerë rialokime. Pra, me marrjen e mjeteve të disa projekteve që nuk janë shpenzuar sipas dinamikës së paraparë ne i kemi transferuar nëpër sektorë të tjerë, pra këto janë ndryshimet kryesore. Ndryshim tjetër gjithashtu i rëndësishëm është se i kemi ndihmuar komunat e vogla, ku janë rreth 7 komuna të vogla me pak banorë të cilat kanë buxhet të pamjaftueshëm për të mbuluar koston e shërbimeve që ofrojnë ato i kemi shtuar buxhetin edhe për to.

EO: Bashkimi i Doganës dhe ATK-së kur pritet të funksionalizohet? A besoni se kjo do të ndikojë në zvogëlimin e ekonomisë joformale?

Hoti: Ky është projekti më ambicioz i Qeverisë, është pjesë e programit të qeverisjes, është pjesë e strategjisë zhvillimore. Tek pjesa që lidhet me rritjen e efikasitetit, me luftimin e informalitetit dhe në rritjen e të hyrave këto janë dy organizata që mbledhin buxhetin e shtetit të cilat janë zhvilluar bukur shumë, dhe sot Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore janë të krahasueshme me agjencitë në regjion dhe më tutje. Kemi marr vlerësime ndërkombëtare për këto. Dëshmohet edhe me rritjen shumë të madhe të të hyrave që i kemi pasur vitin e kaluar dhe këtë vit. Është një vendim i Qeverisë në vitin e kaluar për bashkimin e dy agjencive në një agjenci të vetme. Kemi themeluar një grup koordinues, i cili e ka përgatitur ligjin për agjencinë e të hyrave. Draftligji tani është i plotë, janë kryer të gjitha fazat e konsultimeve publike. Kemi marrë mbështetje të madhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për këtë proces të rëndësishëm, këtë reformë të rëndësishme në Administratën Publike. Është duke u mbështetur nga GIZ-i gjerman, kemi pasur konsultime me ekspertë të Komisionit Evropian, jemi duke i shqyrtuar edhe disa çështje të fundit me ekspertë të Komisionit Evropian para se të lëvizim me ligj. Është reformë shumë e madhe dhe jemi në proces të ndërtimit të konsensusit me të gjitha palët e involvuara në këtë proces. Kam pritje të mëdha nga bashkimi i Administratës Tatimore dhe Doganës, kryesisht në luftimin e informalitetit… Afër gjysmë miliardi euro mbledhim TVSh, në kufi përpara se mallrat të shiten dhe është pjesë e programit qeverisës që ne të krijojmë infrastrukturë ligjore dhe teknike që të mbledhim TVSh brenda vendit, dhe themelimi i agjencisë është në këtë funksion… Ligji është gati pas disa konsultimeve që jemi duke i zhvilluar me Komisionin Evropian, besoj që shpejtë do ta procedojmë në Qeveri dhe në Kuvend. Në momentin që aprovohet ligji në Kuvend neve na duhet një periudhë prej 3-6 muajsh për të bërë përgatitjen e nevojshme për të funksionalizuar Agjencinë. Plani jonë inicial ka qenë që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojmë dhe ende qëndrojmë me atë objektivë prej janarit të vitit të ardhshëm, por të shohim sa shpejtë mund ta aprovojmë ligjin nëpër strukturat e Kuvendit.

EO: A do të vazhdojë edhe më tej që Buxheti i Kosovës të jetë i varur nga Dogana?

Hoti: Buxheti nuk është i varur nga Dogana, taksa doganore, ai 10 përqindëshi që është taksë doganore për mallrat e importuara në totalin e të hyrave është shumë i vogël, çështja është se ne mbledhim TVSh-në në kufi, jo brenda vendit kur shiten mallrat. Nëse shihet struktura e të hyrave nga Doganat, pjesa më e madhe është TVSh-ja, akciza dhe të hyrat e tjera, kurse taksa doganore është bukur e vogël.

EO: Sa ka ndikuar falja e borxheve në rritjen e inkasimit? Pse ka mungesë interesimi për të aplikuar për faljen e borxheve? Shembull ndërmarrja “Termokos” ka publikuar 1700 aplikues, kurse kanë mbetur mbi 7 mijë? Pse ka hezitim, a keni ndonjë të dhënë?

Hoti: Muajve të fundit ka pasur një mungesë interesimi dhe duke qenë se afati i ligjit është një vjeçar qytetarët e kanë lënë këtë çështje për muajt dhe javët e fundit. Muajt dhe javët e fundit ka një rritje të interesimit për të shlyer borxhet e periudhës së kaluar. Është bërë progres shumë i mirë në tatimin në pronë nëpër komuna, bile disa prej komunave kanë qenë të angazhuara intensivisht në informimin e qytetarëve. Mendoj që i ka munguar pak një kampanjë më e fortë informuese për qytetarët të cilën jemi duke e bërë tash edhe përmes komunave edhe nga Ministria e Financave përmes spoteve dhe informatave për qytetarë. Administrata Tatimore e Kosovës që ka një pjesë të madhe të borxheve që kanë qytetarët dhe bizneset, tani ka bërë progres, bukur shumë borxhe janë falur dhe janë inkasuar bukur shumë mjete nga falja. KEK-u ka një pjesë të madhe të borxhit, unë shpresoj se ata do të lëvizin përpara. Pak çështja është më e ndërlikuar sepse KEDS-i tash ka marr përsipër menaxhimin e borxheve të mëparshme të KEK-ut. Ne kemi nxitur nënshkrimin e një memorandumi mes KEK-ut dhe KEDS-it për trajtimin e këtyre borxheve, por shpresoj se do të kemi lëvizje në këtë drejtim. Unë jam ende optimist deri në datën e fundit kur ligji është ende në fuqi.

EO: A do të ketë afat shtesë për faljen e borxheve pas shtatorit?

Hoti: Jo, sepse ky është ligj. Nëse Kuvendi i Kosovës vendos të ndryshojë ligjin ajo është çështje tjetër, por tani ligji është i qartë mbaron me 2 shtator.

EO: Marrëveshja për Stabilizim Asociim ka filluar së zbatuari nga 1 prilli i këtij viti, cili do të jetë impakti i kësaj marrëveshje?

Hoti: Efektin e kësaj marrëveshje mendoj që kemi filluar me ndier, sepse plot mallra që janë importuar nga vendet e BE-së nuk paguajnë taksa doganore prej 10%…Ndikimin e saj besoj që kemi filluar me ndier në xhepat tanë në kuptim të blerjes së mallrave më lirë se sa përpara. Por, sa shpejtë dhe në çfarë mase reflektohen çmimet në treg tani është kjo çështje e ofertës dhe kërkesës në treg, por ajo që është e rëndësishme ne si ekonomi e vogël, relativisht e vogël, jemi bërë pjesë e një ekonomie shumë të madhe të vendeve të BE-së edhe sa i përket tregtisë me mallra, sa i përket investimeve dhe stabilitetit të tregut, sepse efekti kryesor i MSA-së në ekonominë e Kosovës do të jetë në formë të krijimit të një ambienti stabil për investime dhe zhvillim të bizneseve. Kjo marrëveshje për të gjithë investitorët e bënë të qartë se Kosova në një të ardhme të afërt është pjesë e BE-së.

 

Të ngjashme