S’ka kuorum për votimin e buxhetit për vitin 2021, parashihet rritje ekonomike prej 5.2%

Prishtinë | 18 Nën 2020 | 11:19 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka diskutuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, raporton Ekonomia Online.

Gjatë raportimit në komision zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi ka thënë se gjatë vitit 2021 pritet që ekonomia të ketë një rritje prej 5.2%.

Ai tutje ka thënë se edhe në vitin 2021 të shpenzimet është programi për Rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 182 milionë euro.

Krasniqi ka sqaruar se buxheti është përgatitur në koordinim me FMN-në.

“Me rishikimin të kufijve buxhetor që kanë ndodh për vitin 2021/23, ne mendojmë qe si ministri që kemi përgatitur një projektligj që është gjithëpërfshirës dhe i përgjigjet sfidave që kemi para neve”.

“Këtë projektligj e kemi përgatitur në koordinim me FMN-në, dhe është përgatitu brenda rregullave”.

“Ne vlerësojnë që ekonomia në vitin 2021 ekonomia të rritet me një normë prej 5.2%. Edhe vitin2021 te shpenzimet është programi për rimëkëmbje ekonomike ku është aprovuar një shumë prej 182 milionë euro, ku një pjesë është e destinuar për sektorin e shëndetësisë”.

Krasniqi ka deklaruar se rënia ekonomike këtë vit pritet të arrijë në 6.7 për qind.

Gjithashtu, sipas tij, shteti deri në fund te vitit do të ketë 320 milionë euro më pak të hyra.

“Synimi ynë ka qenë që t’i adresojmë problemet kryesore në kohën e paqartësive të mëdha në aspektin shëndetësor dhe ekonomik. Ekonomia gjatë vitit 2020 do të tkurret për 6.7 për qind si rezultat i pandemisë”.

“Më 2021 pritet që ekonomia të rritet në 5.2 për qind dhe të kthehet sikur para pandemisë. Mbi 320 milionë euro do të kemi rënie në të hyra deri në fund të vitit. Një pjesë e obligimeve për investime publike do të barten për vitin e ardhshëm”.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka kritikuar Qeverinë duke thënë se pavarësisht situatës me pandeminë, ka shkurtuar mjetet financiare për arsimin e shëndetësinë.

“Duhet t’u tregojmë qytetarëve se për vitin 2021 që buxheti për rimëkëmbje ekonomike do të jetë 168 milionë euro më pak se vitin e kaluar. Kemi zvogëlim të buxhetit në disa ministri, por ka rritje në ministrinë e Infrastrukturës për 53 milionë euro”.

“Kemi rritje të buxhetit për asfalt, kurse zvogëlim për arsim. Projektbuxheti duhet te flasë për prioritete të qeverisë, neve na vjen projektbuxheti me 54 milionë më shumë për asfalt, keni shtuar autostrada të reja, kurse kemi zvogëlim të buxhetit për ministrinë e Arsimit, Shëndetësisë”.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se shumë projekte që parashihen në programin e Qeverisë nuk janë përfshirë në buxhet.

“Sa vende të punës do të humbin nga kjo rënie ekonomike, cili është ndikimi në humbjen e vendeve të punës. E shohim një diskrepancë të madhe ndërmjet programit të qeverisë dhe buxhetit që na është prezantuar”.

“Aty na është përmendur investimi në shëndetësi, aty është përmendur shërbimi ushtarak. Këto nuk janë në buxhet. Është shqetësuese rritja e borxhit publik, e dimë që Kosova ka borxhin më të ulët në rajon, por kjo nuk guxon të na bëjë qe të hyjmë borxh pa kontroll”.

Kryetar i Komisionit Hekuran Murati tha se duhet që të rekomandohet që ky Projektligji të kthehej për të përmbushur kriteret me legjislacionin aktual.

“Ne si komision do të duhej t’i rekomandojë Kuvendit t’i kthehet mbrapa ky Projektligj dhe të kemi një ligj që i përmbushur kriteret me legjislacionin aktual”.

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi tha se në shumë organizata janë zvogëluar mjetet buxhetore duke pas parasysh se po kalojmë një periudhë të vështirë sa i përket pandemisë.

“Ky buxhet është i fushatës zgjedhore duke parë parasysh që vendi do të shkoje në zgjedhje lokale. Për citin e ardhshme kemi zvogëlim të buxhetit. Janë ndarë 50 mijë euro vetëm për stadiumin kombëtar. Ky buxhet është i interesave të partive në pushtete dhe i zgjedhjeve lokale”.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi tha se Qeveria e Kosovë si ka përcjelle trendet e ekonomisë në kohë kur vendi po kalon gjendje të vështirë.

“Dilema ime është bruto produkti borxhi publik. Sot e kemi projeksionin për 28.5% rritje e borxhit publik për një vit. I vetmi parametër që shpëton ekonominë është borxhi”.

“Nëse borxhi na rritet 35% çka është parapa borxhi publik 2021-2023. Na kemi nevojë për të ecur përpara me projekte nacionale që mund të ngrehin ekonominë përpara”.

Në fund, komisioni nuk pati kuorum për ta votuar Projektligjin.

Të ngjashme