Skandali i importit të mishit nga Belgjika, reagon Klubi i Prodhuesve të Kosovës

Prishtinë | 14 Mar 2018 | 14:56 | Nga

Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) ka reaguar lidhur me rrezikun e mos kontrollimit të produkteve ushqimore të cilat importohen në vendin tonë, transmeton Ekonomia Online.

Rasti i fundit i skandalit të mishit të importuar nga Belgjika në Kosovë, sipas këtij klubi, tregon qartë që produktet e importit lejohen të hyjnë në vendin tonë me cilësi të dyshimtë duke mos zbatuar dhe respektuar standardet e kërkuara.

Në reagimin e dërguar nga KPK-ja thuhet se ky trajtim jo i duhur i produkteve të importuara jo vetëm që vë në rrezik mirëqenien dhe jetën e qytetarëve, mirëpo shkel edhe të gjitha parimet e konkurrencës në treg.

“Me këtë rast Klubi i Prodhuesve të Kosovës iu bënë thirrje të gjithë autoriteteve dhe institucioneve të shtetit, siç është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, që të shtojnë kujdesin në kontrollin e produkteve ushqimore të importuara në Kosovë”, thuhet në reagim.

KPK përmes këtij reagimi i inkurajon dhe i fton të gjithë qytetarët që të konsumojnë më shumë produkte të prodhuara në vendin tonë, sepse thotë se prodhuesit kosovarë janë më të kontrolluar dhe shumë më të kujdesshëm në cilësinë e prodhimit të produkteve ushqimore.

“Produktet e importuara nuk e kanë trajtimin e njëjtë me prodhimet vendore, kontrolli i prodhimeve vendore është më rigoroz dhe cilësia e tyre është e garantuar.

Produktet vendore dita ditës po dëshmojnë për kualitetin e tyre dhe prodhuesit vendor sigurojnë të gjithë qytetarët për cilësinë e prodhimeve të tyre. Linjat e prodhimit në vend i plotësojnë të gjitha standardet dhe janë të pajisur me teknologjinë e fundit, ku qytetarët mund të shkojnë që t’i vizitojnë të gjitha kompanitë prodhuese në vend dhe të binden me kushtet e prodhimit”, thuhet tutje në reagim.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës shpreson në bashkëpunimin me institucionet dhe në të njëjtën kohë kërkon angazhimin e në promovimin e vlerave të sektorit të prodhimit dhe luftimin e konkurrencës jo-lojale në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme