Skemat sociale e kanë mbingarkuar buxhetin, mbi 300 mijë qytetarë morën pensione për tre muaj

Prishtinë | 05 Tet 2021 | 22:50 | Nga Ekonomia Online

Mbi 300 mijë qytetarë të Kosovës vetëm brenda tre muajve (prill, maj qershor), kanë marrë ndihmë nga shteti në formë të asistencës sociale apo pension. Për këta qytetarë nga buxheti i shtetit, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë ndarë afër 130 milionë euro.

Kjo ndihmë që u jepet këtyre personave, nga profesorë të shkencave sociale dhe ekonomistë, thuhet të jetë e pamjaftueshme për të zbutur varfërinë, por konsiderohet shumë e lartë për buxhetin e Kosovës.

Buxheti për vitin 2021 ishte paraparë të jetë mbi 2.4 miliardë euro.

Profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Gaxhiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se skemat sociale duhet të modifikohen.

“Te disa skema mund të shikojmë modalitetin e ngritjes së buxhetit, por të disa skema mund të shikojmë modifikim që do të ishte në dobi për kategoritë e caktuara”, thotë ai.

Punësimi i disa personave të cilët marrin ndihmë sociale, shton Gaxhiqi, do të ishte mënyra më e mirë e zbutjes së varfërisë tek ato familje. Në këtë kategori të modifikimit, thotë ai, do të mund të hynin familjet që marrin asistencë sociale.

Numri aktual i familjeve që marrin ndihmë sociale nga 60 euro deri në 180 euro, është afër 26,000 me mbi 100,000 anëtarë.

Kryetari i Odës së Afarizmit, Skender Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mënyra më e mirë për të ulur numrin e personave që varen nga skemat sociale është integrimi i tyre në punë.

“Ata personave të cilët nuk gjejnë punë dhe marrin ndihmë sociale, do të duhej të obligohen të punojnë punë për komunitetin, deri në gjetjen e një pune e cila pastaj i largon nga skema sociale”, thotë ai.

Krasniqi thotë se personat të cilët marrin asistencë sociale janë joaktivë, pra nuk punojnë asgjë dhe në disa raste edhe e keqpërdorin këtë.

“Ka disa të cilët punojnë në të zezë, për shkak se nuk kanë obligim të punojnë për komunitetin. Ata po marrin dy paga edhe si rast social edhe si pagë”, thotë Krasniqi.

Asistenca sociale në Kosovë u jepet familjeve me kushte të vështira financiare e të cilat nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

Papunësia mbetet një nga problemet më të mëdha në Kosovë. Mbi 25 për qind e popullatës janë të papunë. Rritja ekonomike në Kosovë përgjatë viteve nuk ka qenë më shumë se 4 për qind, ndërkaq në vitin 2020 si pasojë e pandemisë COVID-19, ka pasur rënie ekonomike në 3 për qind.

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet bërë reforma të politikave sociale.

“Vendimet për të shtuar të ardhurat për familjet që kanë nevojë për ndihmë financiare nga shteti janë të mirëpritura, por duhet të bëhen me bazë ligjore, pasi që ligji rregullon edhe aspektin financiar dhe nuk do të ngarkonte buxhetin”, thotë ai.

Në vitin 2018, kur ai drejtonte këtë ministri, thotë se kishin nisur reformat në politikat sociale, por që mbeten të papërfunduar për shkak të ndërrimit të qeverisë.

Reforma që ata kishin nisur, thotë Reçica, ishte që familjarët e familjeve që janë të aftë për punë, t’iu krijohen mekanizma që të bëhen pjesë e tregut të punës.

“Është momenti që kjo qeveri të ndërmarrë reforma sociale sepse është bazament edhe për zhvillim ekonomik, por edhe një qëndrueshmëri në aspektin social dhe integrimit të Kosovës në rrugëtimin evropian”, thotë Reçica.

Ministria e Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a po ngarkohet buxheti me kategoritë e shumta sociale dhe hapat që janë duke bërë për uljen e kategorive të skemave sociale.

Ndihmë shtesë për familjet e varfra edhe në pandemi

Në Kosovë, gjendja sociale e familjeve që janë të përfshira në skemat sociale u është rënduar gjatë pandemisë me COVID-19.

Edhe në këtë situatë, qeveria ka ndarë mjete financiare, por nuk ka ofruar ndonjë mënyrë të punësimit të tyre.

Ata kanë ndarë 50 milionë euro për shtresat e cenueshme të shoqërisë, mbështetje kjo që sipas qeverisë lehtëson barrën që kanë pasur këto shtresa si pasojë e pandemisë.

Po ashtu në qershor të këtij viti, ekzekutivi kishte marrë vendim që për 6 muaj me radhë 7,500 familjeve në nevojë t’iu shpërndahen kuponë ushqimi në vlerë prej 60-70 euro.

Javën e kaluar Banka Botërore ka aprovuar projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale për Kosovën, i cili synon ta përmirësojë paanshmërinë dhe përshtatshmërinë e programeve të ndihmës dhe mbrojtjes sociale të vendit.

Mbështetja financiare e miratuar për këtë projekt është 47 milionë euro, kredi koncesionare nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), që është pjesë e Bankës Botërore që u ndihmon vendeve më të varfra në botë duke u dhënë hua para me kamatë shumë të ulët dhe periudha të gjata të shlyerjes.

Periudha e shlyerjes së kredisë për këtë projekt është 30 vjet, duke përfshirë një grejs-periudhë 5-vjeçare.

“Kosova e ndan një pjesë të rëndësishme të buxhetit të saj për programet e mbrojtjes sociale, por efikasiteti dhe ndikimet rishpërndarëse të këtyre programeve mund të përmirësohen, veçanërisht në kontekstin e COVID-19”, ka thënë Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Rritja e skemave sociale shpeshherë ishte kritikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ky institucion në të kaluarën kishte theksuar se skemat e reja sociale mund ta fusin Kosovën në një krizë fiskale.

Kosova është një nga vendet më të varfra në rajon. Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Të ngjashme