Sogojeva u ankohet deputetëve: Mbi 12 mijë biznese janë në prag të falimentimit, protestat opsion

Prishtinë | 29 Pri 2021 | 11:27 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, tha se mbi 12 mijë biznese janë në krizë të madhe, pothuajse duke falimentuar.

Gjatë një takimi me Komisionin parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ai ka theksuar se nevojiten mbi 1 miliard euro mbështetje nga shteti për sektorin e hotelerisë dhe turizmit.

Sogojeva shtoi se nga Ligji për Rimëkëmbje përparësi duhet t’iu jepet bizneseve që kanë humbur më së shumti.

Ai edhe njëherë është shprehur kundër mbylljeve, derisa tha që të lejohen të punojnë gjithë sektorët dhe të dënohen ata që shkelin masat.

“Është e nevojshme se për t’i shpëtuar bizneset e sektorit të hotelerisë dhe turizmit nga mbyllja duhet intervenim nga shteti me mbi 1 miliardë euro, pasi dëmet janë të mëdha që janë shkaktuar tash e mbi një vit nga mbyllja”, theksoi Sogojeva.

“Nuk vjen në dyshim bashkëpunim do të jetë dhe jemi të gatshëm, meqenëse jemi në këtë kohë ne si Odë jemi munduar që të qojmë mesazhe së forma të mirë duke mbajtur biznesin dhe shëndetin. Rreth 12-13 mijë biznese në total janë në krizë të madhe dhe shumica para falimentimit. Kemi biznese të cilat nuk kanë punuar qe 550 ditë”.

“Çdo ndarje që vjen prej Ligjit të Rimëkëmbjes përparësi t’iu jepet atyre që kanë humbur më së shumti. Pa intervenuar 1 miliard në këto biznese nuk ka shans të rregullohet situata. Nuk ka nevojë për kufizime, shteti duhet që përmes mekanizmave të vet të marrë masa ndaj atyre që shkelin masat”.

Sogojeva tha se nëse nuk lejohet hapja e sezonit të dasmave atëherë diaspora nuk do të vijë në Kosovës.

Ai paralajmëroi institucionet e vendit se mos të çuditen kur të organizojnë protesta për mospërmbushje të premtimeve.

“Nëse nuk del dikush që ekziston mundësia që të hapen sallat e dasmave atëherë diasporën e ke të ndalur dhe rezervimet filluar me i bë në Shqipëri dhe në Mal të Zi. Mos të çuditen që ka me pas protesta sepse nuk mundem me ndalë”.

Sogojeva kërkoi që të formohet Agjencia Kombëtare e Turizmit, e cila sipas tij, do ta ndihmonte këtë sektor. Ai bëri të ditur se vetëm 10 mijë euro është buxheti i ndarë për turizëm nga shteti.

Kryesuesi i Komisionit, Ferat Shala, tha se takimet me institucione të ndryshme do të vazhdojnë në mënyrë që brenda pak ditësh ta përfundojnë planin e punës, duke shtuar se janë në pritje të planit qeveritar.

“Të shohim çka mund të bëjmë bashkërisht në rrugëtimin tonë të përbashkët në interes të hotelerisë, të turizmit të Kosovës. Jemi të hapur për ide bashkëpunim dhe aktivitete të përbashkët”.

Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se Kosova është shumë larg implementimeve të projekteve të mëdha sa i përket zhvillimit të turizmit.

“I përmendet 13 mijë bizneset dhe keni humbur shumë në aspektin e bizneseve familjare. Kosova është larg atyre synimeve që bota është duke i implementuar, sepse të hyrat më të mëdha në botë janë nga turizmi”.

Anëtarët e Komisionit gjithashtu kanë zhvilluar takim edhe me përfaqësues të Odës së Afarizmit.

Skënder Krasniqi nga kjo odë tha se kohëve të fundit Parlamenti ka qenë pak aktiv, derisa ka shtuar se shumë ligje kanë mbetur në rrugë.

“Duke parë gjendjen në të cilën jemi si rezultat i pandemisë dhe ndryshimeve të ligjeve që kanë ndodhur viteve të fundit dhe parlamenti ka qenë më pak aktiv dhe shume ligje kanë mbetur në rrugë”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme