Tahiri e Rukiqi diskutojnë mundësitë për forcimin e ligjit në fushën komerciale

Prishtinë | 19 Tet 2018 | 12:01 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në takimin e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, u mbajt diskutim me ekonomistë e zyrtarë ligjorë në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe Biznesi”.

Gjatë fjalës së tij, ministri Tahiri tregoi se qëllimi i këtij takimi është të mblidhen mendime dhe rekomandime nga odat ekonomike, shoqatat e bizneseve, dhe profesionistëve të tjerë lidhur me gjendjen aktuale të sundimit të ligjit për bizneset, raporton Ekonomia Online.

“Unë kam fillu një reformë ndërsektoriale dhe është reforma më e gjerë, më e thellë që është bërë ndonjëherë që është bërë në sektorin e sundimit të ligjit. Është një reformë që udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë dhe pjesë e saj janë Ministria e Financave, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial dhe agjenci të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Këtë reformë e kemi fillu më 9 mars të këtij viti dhe jemi duke përmbyllë fazën e parë të saj. Qëllimi ynë është që në mesin e vitit të ardhshëm ta nxjerrim një strategji ndërsektoriale ku nga korriku do ta fillojmë implementimin e saj”.

“Një ndër shtyllat më të rëndësishme është drejtësia komerciale. Kam pasur një bashkëpunim me USAID-in ku kemi edhe ekspertë që do të angazhohen direkt në këtë shtyllë. Unë e konsideroj të rëndësishme bashkëpunimin dhe rekomandimet e juaja. Para se të mendojmë për investitorët e huaj le të mendojmë për këta që i kemi këtu”.

“A ka nevojë Kosova për një gjykatë komerciale, cilat do të ishin çështjet që duhet të diskutohen në atë gjykatë. Dua t’i dëgjoj mendimet e juve dhe t’i marr me shkrim rekomandimet e juaja, sepse ju jeni ata që ballafaqoheni në baza ditore me këto cështje”.

Ndërkaq, kryetari Berat Rukiqi e pranoi se ka shumë raste të bizneseve që hezitojnë të ecin tutje me punën e tyre për shkaqe ligjore, raporton EO.

“Deri tash kemi pasë mungesën e një gjykate që merret enkas me kontestet në fushën e biznesit. Gjithashtu kemi pasë dhe shumë çështje që lidhen me kualifikimin dhe profesionalizmin e stafit, në krejt sistemin gjyqësor e që mundet me i adresu krejt çështjet shumë komplekse ekonomike biznesore, dhe ky percepsion është gjithandej, domethënë në shumicën e rasteve shumë biznese edhe kanë hezitu me ecë tutje brenda sistemit gjyqësor për dy arsye: vonesën dhe bindjes së tyre që ka mungesë të profesionalizmit”.

Sipas Rukiqit, element kryesor është kthimi i besueshmërisë në sundimin e ligjit.

“Elementi kryesor që është problem i përgjithshëm është kthimi i besueshmërisë. Pra krejt çka ne duhet me pasë si qëllim final brenda krejt këtij diskutimi është qysh me e kthy besueshmërinë”.

Mahir Tutuli, gjyqtar nga Gjykata e Apelit, tha se Kosova ka ngecje në krijimin e mekanizmave institucionalë që do të ishin efikasë në zbatimin e kërkesave ligjore.

“Përkundër legjislacionit bashkëkohor kemi ngecje të konsiderueshme në krijimin e mekanizmave institucionalë të cilët do të ishin efikasë në zbatimin e kërkesave ligjore dhe në krijimin e sigurisë juridike në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve si kusht për tërheqjen e investimeve të huaja”.
Tutuli e sqaroi problemi duke u nisur nga zanafilla e tij, që nga viti 2013, kur, sipas tij, u ndërrua struktura e gjyqësorit të Kosovës dhe Gjykata Ekonomike është shuar, e cila ka ekzistuar që nga viti 1978.

Gjyqtari Tutuli u ankua për gjendjet aktuale në Gjykatën Themelore, përkatësisht në Departamentin për Çështje Ekonomike.

“Në Gjykatën Themelore në Departamentin për Çështje Ekonomike kemi 4 gjyqtarë dhe një gjyqtar në Gjykatën e Apelit. A i plotëson kjo nevojat e bizneseve të Kosovës? Me siguri që nuk i plotëson”.

“Problemi tjetër është që në vazhdimësi kemi rritje të kontesteve ekonomike përkundër faktit që ekziston një mosbesueshmëri nga ana e gjykatave të rregullta. Përkundër kësaj kemi një numër të rritjeve enormeve të kontesteve ekonomike që nga viti në vit kanë pothuajse dyfishim”.

“Gjendja aktuale nuk ka ndryshu që nga viti 2013, është numri i njëjtë i gjyqtarëve,ka mungesë të kapaciteteve njerëzore, nuk ka bashkëpunëtorë profesionalë, nuk kemi ndonjë përkrahje nga ndonjë zyrtarë të caktuar. Vetë fakti që këto gjykata janë kriju si departamente në kuadër të gjykatave të rregullta është ndoshta edhe e natyrshme që kryetarët e gjykatave i kanë prioritetet e tyre dhe kryesisht janë të fokusuar në çështje penale dhe ato civile”.

Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, përmendi Gjykatën Ekonomike që ekzistonte para vitit 2013, e cila, sipas tij, ishte shembull i të gjitha gjykatave në ish-Jugosllavi.

“Gjykata Ekonomike ka qenë shembull i të gjitha gjykatave në ish-Jugosllavi. Por pse e ndërruam ne këtë sistem, këtë strukturë. Kur ne pas lufte e trasuam këtë gjykatë, dhe vazhdoi punën kjo gjykatë, une e ndijta veten mirë si avokat kur e parashtrova një padi në Gjykatën Ekonomike, nuk e harroj kurrë, dhe për 1 muaj e mora ftesën për seancën e shqyrtimit gjyqësor dhe pyeta në gjykatë a është e mundur, tha po. Ishte një sistem i organizuar jashtëzakonisht mirë”.
Sipas tij, përfshirja e kësaj gjykate brenda Gjykatës Themelore të Prishtinës nuk është ide e mirë.

“Kujt i ra ndërmend që Gjykatën Ekonomike ta fusë në ombrellën e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe në njëfarë mënyre ta nënvleftësojë dhe ta futë si një lloj departamenti. Ndoshta është mendu që në këtë mënyrë do të arrijmë të bëjmë diçka më mirë, mirëpo u pa se ky proces ishte kontraproduktiv”.

 

Të ngjashme