Tahiri kërkon që edhe inspekstorët të përfitojnë nga pakoja e Qeverisë

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 20:38 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se pakon emergjente të Qeverisë është dashur të përfshihen edhe inspektorët.

“Ministritë përgjegjëse është mirë ta njohin terrenin fillimisht, para se të marrin vendime që mund të jenë diskriminuese. Respekt deri në përkulje për punën që po bëjnë mjekët dhe policët. Edhe zjarrfikësit. Por, edhe inspektorët komunal dhe ata të nivelit qendror janë në të njëjtin front, bashkë me disa nga kategoritë e lartpërmendura – e shpeshherë para tyre”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se vendimet si ky i sotmi shkaktojnë pakënaqësi tek inspektorët.

“Vendimet si ky i sotmi shkaktojnë pakënaqësi në ekipet tona, pakënaqësi këto që më së paku na duhen tash. Tash na duhet puna e secilit, dhe motivimi duhet të jetë i njëjtë për këto kategori”, ka shtuar Tahiri.

Ai ka thënë se kërkesa bëhet vetëm për inspektorët dhe jo për stafin politik.

“Që të mos keqkuptohemi – nuk bëhet fjalë për neve si staf politik, por për Inspektorët si staf civil nga të gjitha komunat e edhe ata të nivelit qendror, që janë çdo ditë në terren për ta parandaluar shpërndarjen e virusit duke e rrezikuar veten”, ka thënë ai.

Të ngjashme