Taksa pritet të shndërrohet në reciprocitet

Prishtinë | 13 Tet 2019 | 08:34 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat në bazë të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pritet të formojnë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, paralajmërojnë zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina me reciprocitet ndaj këtyre dy shteteve.

Qeveria në largim e Kosovës, më 21 nëntor të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Që nga vendosja e tarifës doganore 100 për qind, produktet nga këto shtete tashmë janë fare pak të pranishme në tregun e Kosovës, ngase ato tashmë janë zëvendësuar me produkte të ngjashme nga vendet e Bashkimit Evropian si dhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.2 milion euro në ditë apo mbi 400 milionë euro në vit, ka qenë vlera e produkteve që kanë hyrë nga shteti i Serbisë në tregun e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë ka qenë rreth 40 milionë euro në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, që nga vendosja e taksës, vlera e importeve nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Bahri Berisha, drejtor i Doganës së Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga fillimi i këtij viti deri në fund të muajit shtator, vlera e importeve të mallrave nga Serbia ka qenë 3.3 milionë euro. Kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2018, sipas tij, vlera e produkteve të importuara nga Serbia ka qenë 328 milionë euro.

Ndërkaq, nga Bosnje e Hercegovina, për nëntë muajit e këtij viti në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej 1.9 milion euro nga 57 milionë euro sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të 2018.

“Sa i përket eksportit, Kosova në vitin 2019 në Serbi ka eksportuar 13.6 milionë euro, ndërsa nëse krahasojmë me vitin 2018 kanë qenë 24 milionë euro. Sasia e produkteve kosovare që janë eksportuar në Serbi, ka rënie në 44 për qind”, thotë Berisha.

“E njëjta është edhe me Bosnjë e Hercegovinën edhe pse eksporti në këtë shtet ka qenë jo i madh nga ana e Kosovës. Në këtë vit është 4.2 milionë euro, kurse në vitin 2018 (janar- shtator) ka qenë 6 milionë euro, pra ka një rënie rreth 30 për qind të totalit të eksportit”, theksoi Berisha.

Ndërkohë, në Kosovë pritet që në pushtet të vijnë dy ish-partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto subjekte politike kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili është edhe kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të Kosovës, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se është i gatshëm dhe i interesuar që tarifën 100 për qind, të zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, siç ka thënë ai, në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme