Të rinjtë ta shfrytëzojnë teknologjinë digjitale për të krijuar vende pune

Prishtinë | 12 Tet 2018 | 12:29 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të konferencës “Digitalks”, gjatë Panelit Ministror “Ekonomia Digjitale – shtytës i zhvillimit ekonomik”, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Kosovë, Besim Beqaj, tha se transformimi digjital kërkon kohë.

Sipas tij, nuk është diçka që mund të ndërrohet nga ana e qeverisë me anë të ligjeve, por edhe me ndihmën e qytetarëve, me ç’rast tha se populli kosovar është shumë më i avancuar se vetë institucionet e Kosovës në këtë aspekt, raporton Ekonomia Online.

“Ne duhet të shënojmë transformimin digjital dhe mentalitetin digjital në 10-vjetëshin e ardhshëm të Kosovës. Kjo nuk është e lehtë, ekonomia nuk është një akt që mund të ndërrohet me akte ligjore nga qeveria, por është një proces që duhet të shtyhet nga shteti apo komuniteti dhe jam mirënjohës ndaj popullit tonë që është më i avancuar sesa institucionet tona në këtë aspekt”, tha Beqaj.

“Gjeneratat tona lëvizin shumë shpejt, po jetojnë me këtë dhe duhet ta transformojnë dhe nuk është një çështje e lehtë”, tha ai.

Beqaj tha se trajnimin duhet ta aktivizojnë më shumë, pasi që ndihmon që gjeneratat e reja të jenë më të përgatitura dhe në hap me kohën e teknologjisë.

Senida Mesi, zëvendëskryeministre e Shqipërisë, tha se tarifa e romingut është duke u shqyrtuar nga deputetët e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi që, sipas saj, nuk duhet të jetë brengë e qytetarëve se sa do t’u kushtojë biseda telefonike, raporton EO.

“Qytetarët e shteteve tona dhe të Ballkanit të flasin më lehtë dhe më shpesh pa u brengosur se sa do u kushtojë atyre biseda telefonike. Deputetët e dy shteteve kanë filluar të bëjnë rishikimin e ligjit që të ulin tarifat e romingut apo të mos ketë fare tarifa që të jenë më të bashkërenduar me legjislacionet dhe rregulloret e BE-së”, tha ajo.

Sipas zëvendëskryeministres Mesi, Shqipëria po shënon rritje në prodhim të brendshëm bruto, mirëpo, sipas saj, kërkesa është që kjo rritje të jetë proporcionale me të gjitha shtresat e shoqërisë.

“Shqipëria po shënon rritje në prodhim të brendshëm bruto dhe kur shohim shifrat shohim një rritje, por ne duam të jetë e qëndrueshme, duhet të shohim se kjo rritje të jetë proporcionale me të gjitha shtresat e shoqërisë dhe jo vetëm e segmentit të lartë të shoqërisë, por të jetë e shpërndarë dhe e pranishme te të gjithë qytetarët”.

Mesi deklaroi se pajtohet me mendimin që rinia duhet të jetë punëkrijuese, jo vetëm punëkërkuese.

“Qeveria si prioritet ka punësimin, por pajtohemi se qeveria nuk hap vende të punës. Pajtohem me mendimin paraprak ku thanë se rinia të mos jetë vetëm punëkërkues, por edhe punëkrijues”.

Damian Manchevski, ministër i Informacionit në Maqedoni, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të jenë vetë shtytësit e transformimit digjital si vendet me popullsinë më të re në Evropë. Ai tha se rinisë duhet t’u krijohen mundësitë që të mos shikojnë si opsion largimin nga vendi, por të kontribuojnë në vendin e tyre me kapacitetet që kanë.

“Jam i sigurt që ne mund të jemi shtytës të transformimit digjital edhe ne vendet tjera. Tani shoqëritë tona kërkojnë nga ne të bashkëpunojmë dhe të krijojmë shërbime më të mira dhe më të lira për ta”, tha ai.

“Ne duhet të jemi konkretë kemi të rinjtë, njohuritë, potencialin e rinisë, por ne duhet t’i mbajmë këtu dhe t’i japim arsye pse të mos largohen nga rajoni”, shtoi ai.

“Nuk ka mënyrë të vetme për transformim, por gjithkush ka mënyrë të ndryshme unike dhe transformimi digjital nuk ndodh brenda natës, është proces zhvillimi që nuk na çon pa gabime dhe duhet të jemi të kujdesshëm me bashkëpunu në krijimin e strategjive”.

Manchevski tha se duhet të maksimalizohen mundësitë që ofron teknologjia e re dhe të zhvillohet mundësi e re për investime në të gjitha sektorët.

“Nëse ekonomia e përdorë ekonominë digjitale, atëherë përshpejton punën dhe shërbimin dhe qeveria nuk ka mundësi se pse të mos e përdor teknologjinë digjitale”.

Mariya Gabriel, komisionare e BE-së për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, tha se shpreson që në të ardhmen të rritet më shumë aktivizimi i vajzave në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Ajo tha se ka shumë vajza të cilat kanë kapacitet të lartë, por duhet t’i mbështesim ato, jo vetëm në vendet e qytetëruara por edhe në ato rurale.

Të ngjashme