Telekomi dhe KEK-u nënshkruajnë kontratë trivjeçare

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja më e madhe publike në vend, Korporata Energjetike e Kosovës, sot ka nënshkruar kontratë trivjeçare me Telekomin e Kosovës edhe për shkak të ofertave më joshëse në treg.

Afër 4000 punëtorë të KEK-ut, tri vitet e ardhshme do të kenë në telefonat e tyre shërbimet më të reja të Vala-s dhe do të përfitojnë nga rrjeti i shpejtë i internetit 4G, që kësaj korporate do t’ua lehtësojë në masë të madhe sistemin e operimeve teknologjike.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut Luigj Imeri, ka thënë se nënshkrimi i kontratës mes këtyre dy ndërmarrjeve paraqet një bashkëpunim dhe mirëbesim të vazhdueshëm mes dy ndërmarrjeve publike të Kosovës.

“Është e rëndësishme të thuhet se, jemi shumë të kënaqur që KEK-u po vazhdon me shërbimet e VALA-s dhe kjo marrëveshje e sotme është një tjetër dimension i thellimit të bashkëpunimit mes dy kompanive, në vazhdën e bashkëpunimeve që kemi pasur edhe në të kaluarën. KEK-u është korporata më e madhe në vend me numrin më të madh të punëtorëve, andaj me afër 4000 punëtorë do të jemi pjesë e shfrytëzimit të shërbimeve të Vala-s për shkak të ofertës së saj më të favorshme”, theksoi Luigj Imeri, u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut.

U.D i Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina, bëri të ditur se është tejet i entuziazmuar për nënshkrimin e kontratës me KEK-un, duke thelluar edhe më tepër këtë partneritet reciprok.

“Ndihem jashtëzakonisht mirë, që një ndërmarrje e madhe me mijëra punëtorë, siç është KEK-u, në tri vitet e ardhshme do ti ketë të gjitha produktet dhe shërbime tona gjë që përbën, njëkohësisht, një kënaqësi dhe obligim për ne, që produktet dhe rrjetin tonë t’i pasurojmë dhe forcojmë edhe më tutje në dobi të të gjithë atyre që i besojnë operatorit publik, Vala.

KEK dhe Telekomi i Kosovës janë dy kompanitë më të mëdha publike në vend ku shërbimet e tyre janë me rëndësi të veçantë për shumicën absolute të qytetarëve të vendit dhe besimi i ndërsjellë do të sjellë sukses në afarizmin e të dy ndërmarrjeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme