Telekomi: Ne nuk e menaxhojmë “Dhomën e Përgjimeve”, por s’ka shenja për qasje të paautorizuar

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 17:34 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës ka reaguar pas deklaratave në lidhje me dhomën e përgjimeve.

Përmes një komunikate për medie, Telekomi ka bërë me dije se nuk ekziston asnjë lloj përgjimi nga ana e tyre dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin e tyre.

Komunikata e plotë:

I sigurojmë konsumatorët tanë se nuk ka përgjime nga ana e Telekomit të Kosovës dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin tonë

Pas deklaratave joprofesionale dhe të pambështetura në fakte të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës sh.a., e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin me sa vijon:

  • Telekomi i Kosovës sikurse edhe operatorët e tjerë të Telekomunikacionit në Kosovë nuk posedojnë “dhoma të përgjimeve” me të cilat po spekulohet në opinion.
  • Objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore, aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës.
  • Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit.
  • Kjo hapësirë apo “ dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë.
  • Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë.
  • Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit.
  • Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit.
  • Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.

Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund të e dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh.a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës sh.a.

Të ngjashme