Telekomi i Kosovës po përballet me sulme kibernetike

Prishtinë | 13 Sht 2022 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës ka njoftuar se të martën ka qenë cak i sulmeve kibernetike.

Në një postim në Facebook, Telekomi ka bërë të ditur se sulmet kanë filluar që nga ora 8:00 e mëngjesit.

“Sulmi ka filluar në orën 8 të mëngjesit. Ekipet tona i kanë identifikuar IP-të që po sulmojnë dhe janë duke u marrë intensivisht me parandalimin përfundimtar të sulmit”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit teknik në Telekom, Halil Krasniqi, ka thënë për Teve1 se kanë oasur rënie të shërbimeve dhe se pasdite kanë arritur që pjesërisht të kthejnë shërbimet për qytetarët.

“Po, sot nga ora 08:00 kemi pasur sulme kibernetike. Në vazhdimësi kemi tentuar ta kthejmë sistemin e shërbimeve për qytetarë. Në momentin që kemi pasur sulme i kemi ndërprerë shërbimet e internetit, ku nga marrja e masave, tashmë kemi filluar t’i lëshojmë shërbimet në mënyrë graduale”, tha ai.

Nga e hëna ka pasur sulme të tilla edhe në faqet e institucioneve të vendit.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare.

Përmes një njoftimi në Facebook nga Qeveria kanë bërë të ditur se gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.

“Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas Qeverisë, gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme