Telekomi kërkon ngrirjen e mjeteve në llogaritë e Z Mobile dhe kthimin e parave

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Telekomi i Kosovës sot ka parashtruar kërkesë te Prokurori i Shtetit për marrjen e masave urgjente për pezullimin/ngrirjen e mjeteve në llogaritë e Dardafon.net (Z Mobile) në lartësi prej mbi 30 milionë euro dhe kthimin e këtyre mjeteve në xhirollogarinë e Telekomit deri në vendosje përfundimtare gjykatat.c

Po ashtu, Telekomi i Kosovës ka kërkuar që nëse shuma e cekur nuk figuron në xhirollogarinë e Dardafon.net LLC, Prokurori i Shtetit të përdorë mekanizmat për të përcjellë lëvizjen e parasë nga xhirollogaria e Dardafon.net dhe t’i gjurmojë dhe ngrijë llogaritë, kudo që kjo shumë është transferuar.

“Siç është njoftuar opinioni, tashmë, Gjykata e Apelit, bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se Telekomi i Kosovës sh.a. ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të kundërligjshme dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net LLC në dëm të Telekomit të Kosovës sh.a. Përmes kësaj procedure, Telekomi i Kosovës sh.a. është dëmtuar shumë rëndë financiarisht, gjë që ka ndikuar edhe në operimet ditore të kompanisë. Gjithashtu ka ndikuar negativisht në vazhdimin e projekteve vitale, për arsye se i janë tërhequr/debituar mjetet financiare përmes veprimeve të parregullta dhe kundërligjore të përmbaruesit privat dhe gjykatave të të tri niveleve”, tha zëdhëënësi i Telekomit, Fadil Lepaja.

Në bazë të kalkulimeve të deritashme, ai shton se Telekomi ka paguar miliona euro më shumë se sa shuma maksimale që Telekomi i detyrohet Dardafon-it, në bazë të vendimit të Arbitrazhit No.20990/MHM.

“E shohim të rëndësishme të sqarojmë opinionin se pikërisht për shkak të kësaj përllogaritjeje arbitrare dhe të pasaktë të borxhit, nga ana e gjykatës, është kthyer në rigjykim e tërë kjo çështje”, vijoi Lepaja.

Sipas tij, duke qenë se ekziston rreziku real që Dardafon.net mund t’i tjetërsojë të gjitha këto mjete jashtë Republikës së Kosovës e që do të vështirësonte gjurmimin dhe kthimin e tyre në rast të një vendimi të drejtë të gjykatës, Telekomi ka kërkuar asistencën e Prokurorit të Shtetit në ndërmarrjen e veprimeve urgjente, që mundësojnë sigurimin e mjeteve financiare deri në vendosjen përfundimtare nga gjykatat e Kosovës.

“Kjo kërkesë është vetëm njëra nga masat që Telekomi i Kosovës i ka ndërmarrë, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tutje, në mbrojtjen e biznesit të kompanisë dhe në rikthimin e ligjshmërisë. Telekomi i Kosovës synon të rikthehet fuqishëm në shërbim të konsumatorëve të vet dhe të qytetarëve të Kosovës, me një kulturë të re dhe me një përkushtim të lartë ndaj punës. Një sistem i drejtësisë efektiv, dinamik dhe i paanshëm është i domosdoshëm për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga veprimet e paligjshme, ndërkaq Telekomi i Kosovës sh.a. do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikthyer mjetet që i janë marrë jashtëligjshëm nga arka e shtetit apo nga fondet e dedikuara për investime strategjike, duke i kthyer ato në infrastrukturë dhe shërbime më të mira për konsumatorët dhe qytetarët”, përfundoi Lepaja.

Të ngjashme