Telekomi vazhdon të shtojë punëtorët, 27 milionë euro paguan paga

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 20:57 | Nga

Edhe pse ka publikuar raport negativ financiar, Telekomi i Kosovës ka vazhduar të shtojë punëtorë.

Këtë e ka konfirmuar në Puls të KTV-së, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Ai ka treguar se vetëm muajin e shkuar, edhe pse në humbje financiare, Telekomi ka punësuar 60 punëtorë në kontratë mbi vepër.

Ai po ashtu ka thënë se të gjitha ndërmarrjet publike duhet të përballen me masa të reja, pasi që konsideron se të gjitha kanë paga të larta. Këtu ka përfshirë edhe Infrakosin.

Me probleme financiare, sipas Llukës, përballen shumica e ndërmarrjeve publike. Ka thënë se për të gjitha ekzistojnë faktorë të ndryshëm që kanë çuar në humbje financiare.

Lluka ka arsyetuar edhe rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut duke thënë se është bërë me uljen e shpenzimeve nga bordi.

Afër 750 euro është paga mesatare në të gjitha ndërmarrjeve publike.

Ministri Lluka ka pranuar po ashtu se 58 për qind e ujit që prodhohet në vend, nuk faturohet.

Lluka përsërit se Telekomi ka paga tejet të larta

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka përsëritur deklaratën se në Telekomin e Kosovës pagat janë tejet të larta dhe se për mbijetesë të kësaj ndërmarrje padyshim se duhet të ulen shpenzimet.

Në Puls të KTV-së ai ka thënë se pa përfshirjen e punëtorëve me kontratë mbi vepër, paga mesatare e 2291 punëtorëve del rreth 980 euro.

“27 milionë euro paguhet për paga. Nuk janë të përfshira edhe kontratat mbi vepër. Paga më e madhe mesatare për ndërmarrjet publike në vend është në Telekom. S’do të ishte problem sikur të funksiononte me efiçiencë. Ka 71 milionë euro qarkullim vjetor me 2300 punëtorë, është përgjysmuar shitja. Operatori privat ka pak a shumë të njëjtin qarkullim me vetëm 500 punëtorë e pagë mesatare rreth 600 euro”, ka thënë Lluka.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme