Thaçi: Investimet në “Infrakos” rrezikohen nëse nuk subvencionohemi

Prishtinë | 03 Sht 2016 | 09:21 | Nga Resmije Ballazhi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës, “Infrakos”, rrezikon t’i humbë të gjitha investimet që kanë ndodhur kohëve të fundit dhe që janë planifikuar, në mungesë të subvencionimit nga Qeveria e Kosovës, e cila edhe obligohet me ligj të hekurudhave.

Këtë problem e ka shpalosur kryeshefi ekzekutiv i “Infrakosit”, Agron Thaçi gjatë një interviste për Ekonomia Online. Ai kërkon nga Qeveria që sa më shpejt të merren me këtë çështje.

“Nga aspekti i subvencionimit të hekurudhave, ne qëndrojmë më dobët dhe ne jemi duke kërkuar vazhdimisht mbështetje nga Qeveria e Kosovës, respektivisht zbatimin e dispozitave ligjore të Ligjit të Hekurudhave të Kosovës për dhënien e financimit në formë të subvencionit në pagesën e kostove direkte. Ne mund të gjendemi në një situatë shumë të vështirë financiare dhe t’i rrezikojmë të gjitha këto investime që po ndodhin kohëve të fundit, dhe të cilat janë planifikuar, sidomos pjesën e donacioneve të parave pa kthim”, shprehet ai.

Ndër të tjerash, Thaçi ka treguar edhe për funksionimin e hekurudhave në përgjithësi, si dhe ka folur edhe rreth funksionimit të linjës hekurudhore të Podujevës, për të cilën premton se brenda dy viteve do të funskionalizohet.

“Ka gatishmëri edhe Komisioni Evropian të na mbështesë në një pjesë si donacion dhe kreditë e caktuara, besoj se me një afat prej dy viteve, unë jam optimist se do të fillojmë edhe me këtë linjë”.

Ai ka folur edhe për projektet zhvillimore në infrastrukturën hekurudhore të cilat janë miratuar nga Këshilli Kombëtar për Investime i Republikës së Kosovës.

INTERVISTA E PLOTË:

agron thaci1

EO: A mund të na flisni rreth gjendjes aktuale të Hekurudhave të Kosovës?

Thaçi: Aktualisht hekurudhat e Kosovës, operojnë në disa linja hekurudhore të cilat janë në funksion. Ne operojmë çdo ditë nga Fushë Kosova në linjën hekurudhore për Han të Elezit dhe më pastaj në Maqedoni dhe në Portin e Selanikut. Çdo ditë kemi operim nga Fushë-Kosova në Prishtinë dhe nga Fushë-Kosova në Pejë… Në transportin e mallrave kur kërkohet nga operatori “Trainkos”, ne jemi të gatshëm menjëherë që ditën e nesërme t’i ofrojmë transport deri në Mitrovicën Jugore. Ndërsa në aspektin teknik jashtë funksionit janë linjat e Podujevës. Nga Prishtina në Merdare dhe pjesa tjetër e Prizrenit, e cila është jashtë funksionit. Ne po punojmë çdo ditë që edhe këto linja t’i funksionalizojmë.

EO: A dihet kur do të funksionalizohen këto linja?

Thaçi: Linja e Podujevës, besoj se në një të ardhme të shpejtë, sepse ne tani po fillojmë hartimin e projekt-dizajnit dhe komplet dokumentacionin teknik. Gjatë kësaj kohe, ne bashkë me Qeverinë e Kosovës dhe institucionet financiare ndërkombëtare do ta arrijmë marrëveshjen që ta financojmë edhe këtë linje. Ka gatishmëri edhe Komisioni Evropian të na mbështesë në një pjesë si donacion dhe kreditë e caktuara, besoj se me një afat prej dy viteve, unë jam optimist, se do të fillojmë edhe këtë linjë.

EO:Çfarë zhvillime të investimeve kemi në sektorin hekurudhor nga institucionet ndërkombëtare?

Thaçi: Aktualisht, ne kemi siguruar fonde për të hartuar projekt-dizajnin dhe dokumentacionin teknik në linjat në gjatësi diku 200 km. Ne brenda këtyre dy viteve të fundit, kemi arritur t’i gjejmë donacionet për të filluar hartimin e dokumentacionit teknik. Projekt-dizajneve që është pjesë para investive, por edhe 200 km, që është linja kryesore, nga Hani i Elezit deri në kufi me Serbinë dhe nga Fushë-Kosova, deri në kufi me Podujevën. Kurse, ajo që është më konkrete ne po punojmë në linjën kryesore që është linja 10, ne e kemi financuar komplet linjën 10 me 200 milionë euro që gjysma e kësaj është donacion, diku 87 milionë euro kemi arritur t’i sigurojmë pa kthim, kurse mbi 55 milionë tani veç se i kemi të miratuara. Ndërsa, 80 milionë i kemi kredi afat gjatë, kredi të buta siç i quajmë, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga Banka Evropiane për Investime. Për Podujevë jemi në kërkim të financave të investimeve… Ne nuk do të rrimë duar kryq, do të kërkojmë fonde të tjera donacione të tjera dhe investime bashkërisht në koordinim të plotë me Qeverinë. Ndërsa, Këshilli Kombëtarë për Investime i Republikës së Kosovës, ka miratuar listën prioritare të infrastrukturës së përgjithshme dhe në kuadër të asaj listën neve si infrastrukturë hekurudhore na janë miratuar 6 projekte zhvillimore…

EO: Me që po flasim për investimet, a mund të na tregoni se kohëve të fundit sa ka investuar Qeveria e Kosovës në Hekurudha?

Thaçi: Qeveria e Kosovës, investon diku 1.5 milion euro. Ndërsa, në aspektin e subvencionimit të hekurudhave ne qëndrojmë më dobët. Ne jemi duke kërkuar mbështetje vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës, respektivisht zbatimin e dispozitave ligjore të Ligjit të Hekurudhave të Kosovës, për dhënien e financimit në formë të subvencioneve për pagesën e kostove direkte, e cila ka ndodhur si rezultat i mirëmbajtjes së hekurudhave. Këtu qëndrojmë më dobët, prandaj shfrytëzoj rastin që edhe përmes medias tuaj, t’i bëjë thirrje Qeverisë që sa më shpejtë ta mbështesë me këtë pjesë të subvencionit infrastrukturën hekurudhore pasi që ne mund të gjendemi në një situatë shumë të vështirë financiare dhe t’i rrezikojmë edhe investimet që po ndodhin kohëve të fundit dhe të cilat janë planifikuar e sidomos pjesën e parave pa kthim.

hekurudhat - infrakos

Lexo më shumë:

Të ngjashme