Thaçi mirëpret marrëveshjen për termocentralin “Kosova e Re”

Prishtinë | 13 Dhj 2017 | 16:48 | Nga

residenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur sot arritjen e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe investitorit amerikan “Countour Global” për realizimin e projektit energjetik “Kosova e Re”.

Në takimin me përfaqësuesit e “Countour Global”, në të cilin ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u konfirmua se është arritur pajtim për kushtet e fillimit të implementimit të projektit.

Tani pritet të finalizohet marrëveshja dhe të bëhet nënshkrimi i saj më 20 dhjetor në Prishtinë.

Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur me arritjen e marrëveshjes dhe me mundësitë që sjellë ajo për ekonominë kosovare.

“Është investim i rëndësishëm për sektorin e energjisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo do të sjellë stabilitet energjik, por edhe mundësi për fushat e tjera të ekonomisë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Kur po shënojmë 10 vjetorin e pavarësisë së shtetit, po shënojmë edhe arritjen e pavarësisë së plotë energjetike të vendit”, shtoi presidenti Thaçi.

Më herët gjatë ditës, presidenti Thaçi kishte takuar edhe liderët e institucioneve shtetërore të vendit, liderët politikë dhe Grupin Ndërministror për projektin “Kosova e Re”, në të cilin ishte konfirmuar konsensusi i plotë politik dhe shoqëror për projektin.

Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane Contour Global, Joseph C. Brandt, e ka falënderuar presidentin Thaçi për pritjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe e ka siguruar që projekti TC “Kosova e Re” do të realizohet duke i përmbushur të gjitha obligimet kontraktuale dhe në pajtim me të gjitha rregullat dhe standardet ndërkombëtare.

“Kosova e Re” është investimi më i madh privat në historinë e Kosovës, për të cilin është punuar që një dekadë, si dhe kap shumën prej 1,3 miliardë euro.

Gjatë periudhës së ndërtimit të termocentralit të ri pritet të hapen rreth 10.000 vende të reja pune. Projekti do të realizohet në përputhje me direktivat mjedisore dhe sociale të BE-së dhe do ta sigurojë furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për vendin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme