Themelorja pezullon revokimin e licencës për “Kosovën e Re”, BQK-ja do t’i drejtohet Apelit

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 11:17 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, dhe zëvendësi i tij, Sokol Havolli, e kanë vazhduar edhe sot raportimin para anëtarëve Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, raporton Ekonomia Online

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e VV-së, Visar Korenica, ka pyetur për vendimin e Gjykatës Themelore, e cila ka vendosur masë të sigurisë ndaj vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për mbylljen e kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

Përgjigje mori nga zëvendësguvernatori i BQK, Sokol Havolli, duke shtuar se ky vendim përbën shkelje ligjore.

“Vet fakti se vendimi i Themelores përbën në vetë shkelje ligjore. Se pa marrë parasysh, procesi i likuidimit nuk mund të ndërpritet. Ne do të apelojmë këtë vendim në Gjykatë të Apelit sepse procesi i revokimit i ka harxhuar të gjitha mjetet. Prandaj departamenti përkatës po e përgatit ankesën në shkallën e radhës, dhe asnjë vendim i BQK nuk është rikthyer apo rrëzim të vendimit të BQK-së”, tha ai.

Ndërsa guvernatori Mehmeti tha se për këtë vendim do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.

“Është një masë të përkohshme që e ka vendos Gjykata, dhe ende nuk është vendosur në tërësi dhe ne po e kontestojmë këtë masë të Themelores dhe do të apelojmë në Gjykatë të Apelit”, tha Mehmeti.

Deputetja e VV-së, Jeta Statovci kërkoi të di nëse kishte ofertues për ta administruar kompaninë “Kosova e Re”.

“Qëllimi i aksionarit ka qenë t’i shtyhet administrimi për tre muaj, me qëllim që të kërkojë investim strategjik. Prandaj në këtë situatë iu kemi dhënë 3 muaj afat, dhe ka pasur një ofertë nga Shqipëria”.

“E them me plot bindje se nuk ka pasur interesim serioz për ta blerë këtë kompani, por më shumë të interesuar që të blejnë kohë. Kam kërkuar veprime konkrete, dhe këto nuk janë paraqitur as nga ofertuesi e as nga shitësi”, tha Havolli.

Tutje, Korenica ka kërkuar edhe më shumë detaje në lidhje me funksionimin e kompanisë duke propozuar ndryshime ligjesh.

“A kam informacion, kompania në fjalë ka operuar me nënkapital që nga vitit 2013, thjesht po dua të di është se përse është zgjatur nënkapitali”.

“Është e nevojshme që të definohet çështja afatit. Për çdo ditë ne jemi përballur situata të së kaluarës, të cilat i kemi trashëguar, siç janë mungesa e kapitalit, në disa situata të qëllimshme të pagesave e shumës telashe tjera. Ne i kemi edhe disa mangësi që nuk mund t’i ndërmarrim vendimet për shkak të kornizave ligjore”.

“97 për qind e kohës e shpenzojmë që ta rregullojmë këtë industri. Nëse një kompani bie në nënkapital dhe konsumohet afati, ne kemi propozuar ndryshim të ligjeve, e që atëherë ne do t’ia pamundësojmë shitjen e aseteve, dhe të jeni të bindur se do të funksiononte dhe asnjë kompani nuk do të operonte me nënkapital”, tha Havolli.

Deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, ka pyetur për numrin e kompanive që operojnë në Kosovë me nënkapitalizim, dhe cilat janë ato që operojnë.

Ndërsa Havolli tha se “Një kompani e nënkapitalizuar, pra Kosova e Re, që thash se kemi pritur me muaj që të reflektojë, pra pronari i kësaj kompanie i ka shtuar 5.7 milionë euro, që nga dita kur iu është revokuar licenca, dhe ne presim që t’i shtojë edhe disa mjete tjera që ta arrijë shumën e paraparë. Pra vetëm një për momentin është”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme