Tolaj thotë se nuk ka asnjë provë që AKP-ja ka shitur një ari për 1 euro

Prishtinë | 02 Nën 2020 | 10:50 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori Menaxhues i Agjencisë Kosovare për Privatizim, Valon Tolaj, është përgjigjur në pyetjet e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Deputeti i AAK-së Bekë Berisha, pyeti Tolajnë nëse është anëtar i ndonjë partie.

Tolaj ka thënë se nuk ushtron asnjë funksion në asnjë parti politike.

“Nuk ushtroj funksion në asnjë parti. Kam qenë në parti në AAK jo si i zgjedhur dhe që nga prilli kam dhënë dorëheqje dhe nga ajo kohë nuk kam ushtruar funksion në asnjë parti”.

“Që nga viti 2018 që jam zgjedhur në këtë pozitë, nga asnjë parti apo individ nuk kam pasuar presion”.

Ai më tej ka thënë se nuk ka asnjë provë që AKP-ja ka shitur pronë në vlerë prej 1 euro.

“E kam deklaruar edhe në publik se pas informatave që kam marrë dhe unë jam interesuar si drejtor dhe nuk ekziston asnjë provë që AKP-ja ka shitur diçka me çmim 1 euro. Nëse ka pasur ari që është shitur për një euro, ka pasur edhe 128 mijë euro ari që është shitur”.

“Pra nga ato prova që i kemi ne nuk ka dëshmi që janë shitur prona me at çmim”, tha Tolaj, teksa u pyet për deklarimet nëse janë shitur një euro ari. 

Tolaj foli edhe për përfitimet që i marrin ish-punëtorët e fabrikave që janë privatizuar, raporton EO.

“Çdo shitje e tyre shkon për ish-punëtorët. Ka punëtorë që është paguar 228 mijë euro por ka punëtor edhe që është paguar vetëm 100 euro, varësisht prej specifikave që ka pasur”, tha ai.

Tolaj, ka thënë se sipërfaqja e shpronësuar nga Qeveria për nevoja të veta, siç janë çështjet infrastrukturore.

“Sipërfaqja është e madhe dhe po flasim vendime për shpronësim shkon te 5 mijë hektarë dhe po flas vetëm tokë se mandej ka edhe shtëpia. Dhe jo të gjitha shpronësimet janë kryer dhe 20 përqindëshi i shpronësimit shkon për AKP, ku pastaj paguhen punëtorët për 20 përqindëshin”.

E kryetari i këtij komisioni Hajrulla Çeku, tha se gjatë vitit 2020, janë shitur toka nga 11 deri në 18 euro ari më e larta.

I pari i AKP-së u pyet edhe për punësimet që kanë ndodhur në kohën sa është drejtor.

Çeku i VV-së e pyeti Tolajn nëse ish-anëtari i AAK-në në KQZ, Binak Vishaj është i punësuar në AKP, një gjë të tilla e konfirmoi Tolaj.

Bekë Berisha: Në AKP është punësuar motra e gruas së Kurtit

Deputeti i VV-së, Hekuran Murati e pyeti Tolajn nëse në shkurt të këtij viti është punësuar vajza e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, Ermirë Kuçi.

Ndonëse nuk e mohoi, Tolaj tha se “Çdo proces ka qenë transparent dhe nuk i komentoj punësimet për familjarë të kolegëve të mi. Çdo proces ka qenë transparent”.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Bekë Berishës nga AAK-ja. Ky i fundit, paraqiti disa shkresa ku në AKP tha janë punësuar familjarë të afërm me VV-në. Madje, tha se motra e gruas së Kurtit është njëra ndër të punësuarit në AKP.

Të ngjashme