Tregtia elektronike me rritje të vazhdueshme

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 13:04 | Nga Ekonomia Online

Përderisa industria e tregtisë elektronike përballet me shumë sfida që kanë të bëjnë me shërbimin ndaj klientit, shitjet dhe klimën ligjore, ajo përbënë një industri gjithnjë në rritje në Kosovë me shumë potencial për t’u bërë normalja e re e shitjeve. Kjo u tha gjatë diskutimit në tryezën e rrumbullakët mbi tendencat e tregtisë elektronike në Kosovë nga shpërthimi i COVID19 e më tej dhe gatishmërinë e bizneseve për shitjet në tremujorin e katërt të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në hapje të diskutimit, Valon Canhasi nga kompania Hallakate tha se tregtia elektronike është e ardhmja, duke shtuar se blerja në internet ngadalë po bëhet normale e re me shitjet në internet që dyfishohen shumë shpejt. Sipas Canhasit tregtia elektronike ka lulëzuar vitet e fundit në Kosovë dhe ka krijuar konkurrencë të shëndoshë në industrinë e cila po rritet vazhdimisht.

Mërgim Cahani nga Gjirafa50 u pajtua se COVID19 ka prekur shumicën e bizneseve, por që bizneset janë përpjekur të përshtaten megjithatë me situatën e vështirë. Ai shtoi se burimet duheshin shtrirë mjaft gjatë pandemisë, megjithatë është diçka që mund të kapërcehet. Në lidhje me shitjet e tremujorit të katërt, Cahani deklaroi se përgatitja për këto shitje është tepër e ndërlikuar, veçanërisht gjatë të Premtes së Zezë. Ka sfida të tilla si rritja e konsiderueshme e kërkesës e shoqëruar me stokun dhe disponueshmërinë e fuqisë punëtore, kjo si dhe problemet e përpunimit të transaksioneve për shkak të kërkesës së lartë janë sfida për të cilat një biznes nuk mund të përgatitet paraprakisht.

Genta Brestovci nga EBAA deklaroi se EBAA nuk u përball me shqetësimet e rritura gjatë pandemisë COVID19 për shkak të bashkëpunimit të tyre me ELKOS i cili u mundësoi atyre të vazhdojnë biznesin pothuajse normalisht. Tendencat e vërejtura gjatë pandemisë kanë qenë rritja e pagesave me kartë dhe tendencat e blerjes të cilat kaluan nga luksi në nevoja të tilla si ushqimi dhe produktet e higjienës, tha Brestovci.

Ideal Shala nga kompania Egjeta ngriti se kishte shumë sfida gjatë pandemisë COVID19 kur ishte fjala për tregtinë elektronike dhe shitjet në internet, veçanërisht duke qenë një kompani e re në industri. Ai tha se suksesi nuk është i menjëhershëm në tregtinë elektronike pasi një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen bizneset është mungesa e likuiditetit. Një problem tjetër i cili është vënë në dukje është hezitimi i importuesve dhe shitësve me pakicë për të bashkëpunuar me tregtinë elektronike pasi shihet si një rrezik i madh, i shtuar nga pandemia COVID19.

Avokati Urim Vokshi ndau pikëpamjet e tij nga aspekti ligjor mbi klimën ligjore që rregullon tregtinë elektronike në Kosovë. Ai ngriti shqetësimin e tij mbi përplasjen e legjislacionit që rrethon tregtinë elektronike dhe mospërputhjen e legjislacioneve të ndryshme në industri. Ai deklaroi se ligjet dhe legjislacionet vijnë nga nevojat e qytetarëve, dhe megjithëse ka ligje për tregtinë elektronike, sfidat e lartpërmendura e bëjnë të vështirë për bizneset t’i zbatojnë ato. Ai vazhdoi duke thënë se është thelbësore që ligjet për tregtinë elektronike të mbrojnë klientët nga praktikat mashtruese të biznesit dhe anasjelltas.

Të ngjashme