Trusti: Tërheqja e mjeteve hapi i fundit që duhet të shqyrtohet, 227 milionë euro është kthimi i investimeve

Prishtinë | 30 Mar 2022 | 11:12 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) kanë raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare dhe ndikimin e tyre në kursimet e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Ruzhdi Morina dhe Ardian Zalli njoftuan se FKPK ka arritur të rikuperojë një pjesë të investimeve që pësuan rënie në muajin shkurt, për shkak të krizës botërore ekonomike, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Ruzhdi Morina, kryesues i Bordit Drejtues, ka thënë se kriza e fundit ka ndikuar në performancën e investimeve, por pas humbjeve në dy muajt e parë të vitit, në mars ka nisur këndellja dhe se “trendi pozitiv është duke vazhduar”.

E për propozimin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti për qytetarët, si iniciativë nga deputetët e PDK-së për tejkalim të krizës me çmimet e larta, ai ka thënë se janë të gatshëm të përmbushin çfarëdo vendimi që sjell Kuvendi, por kanë vlerësuar se ky duhet të jetë vetëm hapi i fundit që duhet të shqyrtohet si mekanizëm për situata emergjente.

“Ne vazhdojmë të mbajmë pozicionin se nuk dëshirojmë që përfshihemi në këto iniciativa. Kjo është kompetencë e Kuvendit të Kosovës. Jemi të gatshëm ta zbatojmë secilin vendim që e sjell Kuvendi. Është mirë që për këto iniciativa të diskutohet, por që kjo duhet të jetë mundësia e fundit për t’i ndihmuar qytetarët”, tha Morina gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet.

Kundër nismës që është riaktualizuar nga PDK-ja ka dalë më qartë kryesuesi i Komisionit Parlamentar, Armend Muja.

Deputeti i VV-së tha se nuk duhet të bëhet shprehi tërheqja e shpeshtë e mjeteve nga Trusti.

“Unë nuk kisha prejidikuar sa i përket tërheqjes. Nuk është çështja a ka mundësi apo s’ka. Nuk duhet ta bëjmë shprehi, çdo herë, çdo vit që të tërhiqen mjetet e Trustit. Ne nuk themi që qytetarët nuk kanë nevojë, por gjetur alternativa të tjera. Nuk duhet me i rritë pritjet e qytetarëve”.

“Në kohën kur është tërhequr 10-përqindëshi, kemi pasur një tkurrje ekonomike prej 4 ose 5 për qind. Kështu që nuk është situatë e njëjtë, sepse kemi një rritje ekonomike 10 për qind, është rritur edhe konsumi për 14 për qind, krahasuar me vitin 2019”, theksoi Muja.

Kryesuesi i Bordit të FKPK-së, Morina, tha se kthimi në investim për vitin e kaluar ka qenë më i madhi që nga formimi i Fondit.

“Kthim prej 11 për qind apo 227 milionë euro, më e madhe që nga themelimi. Lufta në Ukrainë ka ndikuar në performancën e Trustit. Kemi ndërmarrë veprime investuese. Në janar kemi pasur një rikthim të fitimeve. Nga 90 milionë që ishin humbjet, tashmë e kemi rikuperuar këtë, ku kemi arritur në rreth 80 milionë euro. Rreth 17 mijë përfitues janë prekur, por që kanë filluar të rikuperohen. Pritet të ketë ndryshim të çmimit të njësisë”, ka shtuar ai.

Ai gjatë raportimit në këtë Komision ka theksuar se në bankat komerciale të Kosovës, Trusti i ka të investuara rreth 530 milionë euro.

E drejtori i Trustit, Adrian Zalli, tha se për momentin Trusti ka mbi 2.2 miliardë para.

“Nëse shikojmë performancën e tregjeve, ne kemi pasur performancë të mirë pritjet për 3 muaj janë vështirë të cilësohen por jemi të pozicionuar mirë për t’i dalë ballë problemeve. Rikuperimi ka marrë 2 vjet dhe e njëjta ka qenë edhe në tregjet financiare. Gjysma e rikuperimit vetëm ka ndodhur mirëpo si do të zhvillohen tash e tutje pritet të shikohen. Mbi 2.2 miliardë totali i parave aktuale në trust”, tha ai.

“Që nga themelimi kemi performancë pozitive me 68 për qind. Kemi thënë se vitit 2022 pritet të jetë i vështirë në kuptimin ekonomik në shportën bazë të konsumit. Lufta në Ukrainë ishte një faktor tjetër. Duke pas parasysh rënien e indekseve atëherë në mars kemi bërë rikthim të investimeve 28.3%”.

“Me qëllim të mbrohen pensionistët bordi ka themeluar edhe protofolio investimesh. Me vendimin investuese dhe krijimin e portofolis kemi arritur t’i mbrojmë kontribuuesit nga këto rënie. Sa i përket tronditjeve një pjesë e madhe e tyre është rikuperuar dhe jemi fokusuar në investime”. Në muajt në vijim kjo do të shpërblehet. Do të jetë vit tejet sfidues për ne. Tronditjet e shkurtit janë rikuperuar. Aktualisht kemi 25% kthim në secilën llogari”, tha ai.

Tutje tha se viti i shkuar ka qenë vit me vlerën më të lartë të kthimit të investimeve në histori, me 227 milionë euro. Nga fillimi i funksionimit të Trustit, kthimi i investimeve ka qenë mbi 720 milionë euro.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar të dijë se cilat do të ishin pasojat për Trustin nëse eventualisht vendoset edhe për një tërheqje kursimesh.

“Kur kjo ka ndodhur në vitin 2020, është arsyetuar me pandeminë, me tronditje të mëdha ekonomike, që ndodhë në një herë në 100 vjet, dhe askush se ka menduar se brenda 2 vjetëve në mund të vijmë deri te një situatë tjetër të krizës ekonomike financiare që është gati e përmasave të pandemisë”, tha Hoti, i cili ka qenë kryeministër kur ishte marrë ky vendim.

“Nuk po iu kërkoj mendim a jeni për apo kundër, sepse nuk ju takon juve të jepni opinion në këtë çështje. Por, na tregoni se cilat do të ishin pasojat në planet e juaja investuese nëse ndryshohet ligji për miratimin e një tërheqjeje shtesë të mjeteve nga Trusti. Cila do të ishte pasoja afatgjatë nga ky ndryshim? Sa do të ishte përqindja që mendoni se mund të tërhiqet pa shkaktuar probleme në planet e juaja”, ka pyetur Hoti.

Kryetari i Bordit, Morina, pret që viti 2022 do të jetë sfidues për FKPK-në, megjithëse shtoi se parashikimet e sakta janë të vështira për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndikimit të saj në tregjet financiare.

Pas ngritjes së çmimeve në treg, shumë nga qytetarët po e shohin si të nevojshme një ndihmë nga qeveria. Së fundmi është propozuar që qytetarët të mund ti tërheqin deri në 30% të kursimeve pensionale nga Trusti. Ky propozim është mirëpritur nga këta të fundit, këtë e dëshmon edhe hulumtimi i fundit i realizuar nga Pyper.

Të ngjashme