Shtyhet afati për pranimin e komenteve të Projektligjit për turizmin, kërkohet të trajtohen edhe zonat turistike

Prishtinë | 14 Mar 2022 | 14:44 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar Projektligjin për turizmin, i cili u vlerësua i mangët dhe me shumë paqartësi, derisa u vendos që të shtyhet afati për pranimin e komenteve për këtë Projektligj, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesit e Odave kërkuan që diskutimet të mbahen në Prishtinë e jo në Tiranë. Ndërsa nga Komisioni kërkuan që të kenë edhe një takim të dytë, në mënyrë që ta kenë të plotë draftin e këtij Projektligji.

Kryetarja e këtij Komisioni, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar që komentet e pranuara për këtë projektligj të shtyhen deri më 25 mars.

“Kërkoj nga ministria e Industrisë, Ndërrmarësisë dhe Tregtisë që të kemi një takim të dytë, të shohim draftin në mënyrë që krahasimet dhe më pas të bëjmë edhe vlerësimet. Komentet për projektligj ka qenë deri më 18 mars dhe propozoj që kjo datë të shtyhet deri më 25 mars që t’u japim hapësirë që të ketë komente përmbajtjesore”, tha ajo.

Lumnije Hajdini drejtoreshë menaxhuese e Aleancës Kombëtare të Bizneseve kërkoj që diskutimet për organizimet të bëhen në Prishtinë e jo në Shqipëri.

“A është bërë një analizë financiare dhe a kanë marr vendim nga Qeveria që do ta mbështesin këtë departament që është shumë me rëndësi. Ne kemi bërë thirrje edhe në Qeverinë paraprake edhe këtë se kur të mbahen konferenca të bëhen në hotelet tona e jo në Shqipëri”, tha ajo, teksa me këtë propozim u pajtua edhe kryetarja e Komisionit, Mimoza Kusari-Lila.

“Ne mundemi me i ofru Shqipërisë t’i vizitojë hotelet e Kosovës kjo do të ishte një shkëmbim i mirë”, tha Kusari-Lila.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Lumturie Geci tha se taksa prej 2 për qind e propozuar nga ta do të kishte ndihmesë të madhe në buxhetin e shtetit.

“Taksa 2 për qind parashihet në bazë të numrit të çmimit të dhomës. Kjo taksë ndihmon në promovimin e turizmit që kish me qenë një shtesë e hyrë për buxhetin”, tha ajo.

Për vlerësimin e financave ajo tha se ligji nuk është vetëm për tre vitet e ardhshme por edhe me gjatë.

“Ligji i turizmit rregullon veprimtarinë e huaja që ka qenë një nga rekomandimet kryesore nga Oda e Turizmit dhe shoqatat. Ligji aktual i turizmit nuk ka pasur mbikëqyrje fare dhe inspektim. Ka pak Inspektor është e vërtetë, por ne tentojmë të ngrisim kapacitetet përmes Inspektoratit policorë dhe Inspektorëve”, tha ajo.

Lidhur me krijimin e fondeve të reja ajo tha se është një sfidë në vete por janë duke e shqyrtuar si Ministri.

Nënkryetarja e këtij komisioni, Jeta Statovci, kërkoi që në këtë Projektligj të trajtohen edhe zonat turistike.

“U përmendën shumë çështje dhe ajo që nuk u trajtua përfshirja e zonave turistike dhe taksa e cila është paraparë dhe është e specifikuar në zhvillimin e turizmit si dhe që i ndihmon sektorit dhe ka një pamje në zhvillimin e saj. Pas hyrjes në fuqi të ligjit, ne duhet të punojmë për planin dhe pastaj edhe për përcaktimin e zonave. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me komunat por edhe me MMPH”, tha Statovci.

Lexo më shumë:

Të ngjashme