U mbajt konferenca “Konkurrenca e industrisë metalike”

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 14:18 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi mori pjesë në Konferencën “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”, e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, në të cilën u diskutua për ndikimin e shkollave profesionale dhe mundësinë e rritjes së punësimit të të rinjve përmes përgatitjes dhe shkathtësive të fituara gjatë shkollimit në fushën e industrisë metalike.

Ministri Bytyqi me këtë rast theksoi se, rreth 80 për qind e kompanive prodhuese kanë kërkuar të shtojnë numrin e të punësuarve, duke krijuar besimin se vendi është duke shkuar në një drejtim pozitiv.

Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka thënë se, kërkesa e shtuar për punësimin e të rinjve duhet të rrisë përgjegjësinë institucionale në krijimin e kushteve për zhvillimin e shkathtësive të të rinjve tanë, përkatësisht mbështetjen e shkollave profesionale dhe qendrave të kompetencës.

“Ndikimi më i madh i shkathtësive të të rinjve tanë vjen pikërisht nga shkollat e arsimit dhe aftësimit profesional dhe qendrat e kompetencës. Kjo do të thotë që të rinjtë, të cilët marrin aftësimin në këto institucione, e kanë më të lehtë të gjejnë punë, sepse ata janë të gatshëm për tregun e punës”, është shprehur ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi, përveç industrisë metalike, ka përmendur edhe industrinë e tekstilit dhe metalit si fusha në të cilat vazhdimisht ka kërkesa në tregun e punës dhe të cilave duhet t’u kushtohet kujdes dhe t’u ofrohet përkrahje.

Në Konferencën “Konkurrenca e Industrisë Metalike (me fokus në shkathtësi)”, të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe drejtori i programit EYE, Timothy Sparkman.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme