Ujkani: Performanca e dobët e institucioneve do të na penalizojë për IPA III

Prishtinë | 03 Qer 2021 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, vlerëson se fokusi do të jetë te konkurrueshmëria për thithjen e fondeve të Bashkimit Evropian nga Instrumenti i Ndihmës për Para-anëtarësim (IPA III).

“Këto janë mjete që programohen nga BE dhe institucionet e Kosovës në periudhën shtatëvjeçare. Kriteret mbi bazën e të cilave do të shpërndahen këto mjete fokus do t’i kenë aspektet politike, sundimin e ligjit, fuqizimin e ekonomisë dhe fokus do të jetë fuqizimi i konkurrueshmërisë. Fokus do të jetë fuqizimi i tregjeve”, ka thënë Ujkani, njofton Klankosova.tv.

“Ka mbi tetë muaj që kemi alarmuar institucionet që janë disa parime të reja dhe më i rëndësishmi janë premtimet që do të japin këto vende ndaj BE-së. Institucionet e Kosovës – qeveria duhet të punojë që mbi bazën e kriterit të performancës të përfitojnë këto mjete nga BE”.

Ujkani në Info Magazine ka theksuar se paraqitja e institucioneve e penalizon Kosovën në IPA II, ku për periudhën 2021-2027 është ndarë buxhet prej 14 miliardë e 162 milionë euro.

“Performaca e dobët e institucioneve do të na penalizojë nga këto fonde. Do të ketë garë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ku hyjmë shumë të hendikepuar karshi Serbisë dhe Malit të Zi. Nuk është vonë që të bëjmë përpjekje maksimale”.

Të ngjashme