Valdrin Lluka: Kur Telekomi i Kosovës futet në botën e politikës

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 23:08 | Nga Ekonomia Online

Sot e kuptova që unë, me vendimet e mija, “kam rrezikuar” sigurinë nacionale. Imagjinojeni deri ku mund të shkoj pafytyrësia. Personi që mundohet të mbuloj dështimet e veta të njëpasnjëshme, personi që ka futur mbi 400 veta në punë kur në fakt ishte dashur ta zvogëloi numrin e punëtorëve, personi i cili shkon në hotele superluksoze në kohën kur Telekomi vonon pagat për punëtorët, më akuzon mua për rëndimin e situates në Telekom. Pra, dështimet e tij, dëshiron të mi mvesh mua. Imagjinojeni! Kur bëhet kjo? Në momentin kur qeveria është në largim, pra kur qeveria nuk e ka vendimmarrjen e plotë për shkarkim të menjëhershëm.

Për informim të drejtë të qytetarëve, më lejoni të sqaroj disa pika:

I. Që nga fillimi kam qenë kritikues i menaxhimit të ndërmarrjeve publike në përgjithësi, por veçanarisht Telekomit të Kosovës. Kjo ka qenë edhe arsyeja e kërkesës për asistencë teknike tek Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të më ndihmuar duke aprovuar një grant prej disa qindra mijëra eurove.

II. Telekomi i Kosovës, gjatë mandatit të Bedri Istrefit, ka punësuar qindra punëtor (afërsisht 400). Ndërkohë që Telekomi i Kosovës ka një rrogë mesatare rreth 1,000 EUR. Mos punësimi i këtyre personave, do ti kursente Telekomit rreth 5 milionë EUR në vit dhe do ta bënte ndërmarrjen më efiçiente dhe do të krijonte hapësirë për pagesat e paisjeve që nuk “rrezikojnë” sigurinë kombëtare që tashmë paska qenë rreth 1.5 milionë EUR.
Por, Bedriu vendosi ndryshe. Ai vendosi për shkatërrimin e Telekomit, duke zvogëluar shitjet e duke rritur shpenzimet përmes punësimeve pa kritere. Si mundet një ministër normal, t’i ndihmoj një ndërmarrje publike, kur i sheh dukuritë e tilla? Çfarë roli luajnë disa qindra mijëra euro subvencion kur me një vendim ka humbur miliona?

III. Subvencionet janë mjete të ndara nga tepricat buxhetore përmes një vendimi të qeverisë së Kosovës, ku thotë që “mjetet ndahen vetëm për ato ndërmarrje që kanë mbulesë me fatura për transferimin e këtyre mjeteve.”. Si rezultat, kërkesa për siguri kombëtare është një FARSË vetëm për të shkaktuar huti, sepse edhe po të doja të transferoja mjete në Telekom, prapë ato do të duhej të shpenzoheshin për shpenzimet apo borgjet e vitit 2019 dhe në asnjë formë për tenderë të rinjë kinse për siguri kombëtare.

IV. A është në rregull subvecnionimi i një ndërmarrje publike, ku rroga mesatare është mbi 1000 EUR, të subvencionohet nga paratë e taksapaguesve (qytetarëve) ku paga mesatare është 350 EUR? Një gjë e tillë ndodhë kur përfitimet janë publike, siç janë ndërmarrjet tjera të rregulluara, por jo për ato që janë sikurse kompani private, ku qytetari paguan çmimin e tregut për shërbime.

V. Kërkesa e telekomit të Kosovës për financimin e implementimit të Kodit 383 ka ardhur tek unë kohë më parë, dhe ajo, si e tillë, është përcjellur me rekomandim pozitiv nga ana ime tek Ministria e Financave. Financimi i tillë kërkon vendim të qeverisë ku caktohet saktë destinacioni dhe nuk mund të bëhet përmes subvencioneve (lexo pikën tre). Por, këtë nuk mund ta thotë Bedriu, sepse Ministrit të Ministrisë së Financave nuk guxon ti bëj përballje publike, se ka pasoja të menjëhershme.

VI. Telekomi i Kosovës operon në treg të lirë, pra nuk është i rregulluar siç janë ndërmarrjet tjera si ato të ujërave apo të mbeturinave. Operimi në treg të lirë ka një kosto, ato nuk mund të ndihmohen kurdo që kanë nevojë dhe kompanitë jo efiçiente dalin nga tregu. Telekomi ose duhet të bëhet efiçiente dhe produktive, ose del nga tregu. Nuk ka opcion të dytë. Kështu e ka tregu i lirë.

VII. Siguria nacionale nuk ka pse të rrezikohet përderi sa ka operatorë tjerë në treg, prandaj nuk ka hapësirë për shqetësim. E vetmja hapësirë për shqetësim është se si menaxhmenti i lartë i Telekomit, në vend se të merret me punët e duhura të Telekomit, ai merret me politikë dhe akuzon ministra. Eh po ja, ky është vendi që jemi.

VIII. Deklarimet dhe pretendimet që Ministria e Financave i ka ndarë 1.5 milionë euro për Telekomin dhe unë kam ndryshuar destinacion nuk janë të vërteta. Asnjë cent nuk është ndarë me vendim të qeverise apo ministrisë së financave për Telekomin, përndryshe ekzekutimi do të ishte obligues. Për më tepër, Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike që është pranë Ministrisë që drejtoj, në bazë të analizave, rekomandon se cilat ndërmarrje publike duhen të mbështetën.

Ka edhe shumë arsye për çka nuk dua të merrem, sepse unë, si profesionist, operoj me fakte dhe rregulla e jo me shantazhe e lajme të rrejshme.

Ju faleminderit atyre që besojnë në vendimet e duhura për këtë sistem të brisht të ndërmarrjeve publike.

Të ngjashme