Vazhdon rënia e çmimit të naftës

Prishtinë | 22 Shk 2020 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e naftës së papërpunuar kanë rënë të premten, për shkak të presionit që ka shkaktuar koronavirusi, por edhe teprica e rezervave amerikane të naftës së papërpunuar e cila rrit tepricën në treg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Brenti ndërkombëtarë i naftës tregtohej me 58,19 dollarë amerikan për fuçi të premten në mëngjes, që është një rënie për 1,94 për qind, pasi që të enjten në mbylljen e bursës shitej për 59,31 dollarë për fuçi.

Indeksi amerikan West Texas Intermediate të premten tregtohej me 52,97 dollarë për fuçi, që është një rënie prej 1,5 për qind pasi një ditë më parë u mbyll me 53,78 dollarë për fuçi.

Numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit është rritur në 2.238 persona, ku ka 75.465 raste të konfirmuara të koronavirusit, i njohur tani si COVID-19, 11.633 prej të cilëve janë në gjendje kritike.

Rezervat komerciale të naftës së papërpunuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u rritën 0.4 milionë fuçi, ose 0,1 për qind, në 442.9 milionë fuçi në javën që përfundoi më 14 shkurt, sipas të dhënave të lëshuara të enjten nga Administrata e Informacionit të Energjisë (EIA).

Rritja e rezervave të naftës së papërpunuar ka tejkaluar furnizimin e tregut, duke ngritur shqetësime në tregun global të naftës dhe duke ulur çmimet. Për shkak të koronavirusit, tregu parashikon kërkesë të ulët globale për naftë.

Të ngjashme