Vendimet populiste, siç është revokimi i lejes së Monego, e bëjnë Kosovën një vend të frikshëm për çdo investitor

Prishtinë | 23 Jan 2020 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Ku e ka bazuar Banka Qendrore e Kosovës (BQK) qëndrimin e vet se gjoja pronari i Monegos është i papërshtatshëm dhe se Monego paraqet rrezik të sigurisë? Nëse kreditë e dhëna nga Monego-s po karakterizohen si fajde, pse BQK-ja po vazhdon t’ua kërkojë huamarrësve t’i kthejnë ato me të njëjtat kushte, madje përmes institucioneve të tjera, që mbi të gjitha edhe po iu kushton?

Këto e shume çështje të tjera janë ngritur në emisionin “Zona B”, në televizionin Klan Kosova, drejtuar nga Baton Haxhiu, i cili ka folur rreth temës aktuale për mënyrën e revokimit të lejes së institucioneve mikrofinaciare në Kosovë, siç është Monego.

Duke folur për normat e interesit të kredive në Kosovë, Haxhiu ka vënë në dukje se “në Kosovë, nuk ekziston një limit se sa të larta mund të jenë interesat e kredive. Derisa, për shembull vende si Maqedonia e Bullgaria e kanë një limit të tillë dhe ai sillet rreth 50-60 për qind”.

Për më tepër rreth kësaj çështjeje, shtrohet pyetja nëse BQK-ja dhe institucionet relevante me të vërtetë do të ishin të shqetësuar nga interesat e larta, pse atëherë nuk e kanë vënë një limit të tillë por të mbyllin një kompani që posedonte licencë legale?

“Vendimet e tilla populiste po e bëjnë Kosovën një vend të frikshëm për çdo investitor, kjo shihet edhe nga rënia shqetësuese e investimeve të huaja dhe nëse vazhdon një trend i tillë, edhe investitorët vendas do të fillojnë të kenë frikë. Përveç rrezikimit të investimeve, vendime të tilla drakoniane dhe të pabaza, rrezikojnë edhe marrëdhëniet që kemi ne me botën. Nëse institucionet e Kosovës, me kaq lehtësi marrin vendim për të mbyllur një kompani atëherë kush mund të thotë se nuk mund të marrin edhe vendime tjera, me më shumë konsekuenca”, konstaton Haxhiu.

Qasja e tillë e bën Kosovën një vend në cilin nuk mund të llogarisësh si partner e një gjë e tillë do ta vinte në dyshim çdo vend, aq më shumë një vend si Kosova që mbijetesën e vet e ka të varur nga një partneritet i shëndoshë ndërkombëtar, u theksua në këtë emision.

Sa i përket pronarit të Monegos dhe asaj që është cilësuar si i papërshtatshëm për vendin, Haxhiu ngrit pyetjen: “Pronari i Monego-s është i licencuar te autoriteti i sigurisë financiare gjermane, dhe ka kompani të licencuara në rajon dhe vende të BE-së. A do të mundej një person që paraqet rrezik të licencohej nga organe të tilla si ato gjermane dhe vendeve të tjera më një vigjilencë shumë më të madhe se që e gjejmë në Kosovë?”

Çështja kryesore e kësaj teme është se Monego mbi të gjitha u solli qytetarëve të Republikës së Kosovës një produkt shume inovativ nga i cili përfituan mbi 85 mijë persona, për më tepër Monego është e para dhe e vetmja që solli kreditim online për klientët.

“Më e mira për Kosovën është nëse këto beneficione që solli ‘Monego’ gërshetohen me tarifa të ulëta të rregulluara nga BQK-ja dhe jo largimi i paparalajmëruar dhe i dëmshëm për vendin”. Me këtë konkludim e ka përfunduar emisionin gazetari i njohur, Baton Haxhiu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme