Parashikohet vit i vështirë, do të ketë ulje të të hyrave buxhetore dhe remitencave

Prishtinë | 29 Mar 2020 | 22:49 | Nga Ekonomia Online

Ekonomisti Bardh Ahmeti ka folur për situatën ekonomike në Kosovë të krijuar pas përhapjes së koronavirusit.

Ai ka thënë për Klan Kosova se ekonomia po përballet me një gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas tij sektori privat është më i prekuri nga kjo situatë.

Ahmeti tha se në këtë rast edhe shteti do të ndikohet tek inkasimi i të hyrave.

“Ekonomia jo vetëm në Kosovë por në gjithë botën po përballet me një situatë të jashtëzakonshme. Sektori privat është më i prekuri nga kjo situatë. Më saktësisht gastronomia që numëron 12 mijë e 900 të punësuar. Pagat në këtë sektor kap shifrën e mbi 3 milionë eurove. Gjendja ekonomike do të ketë ndikim edhe tek inkasimi i të hyrave. Por nuk ka vend për panik”.

Ai shtoi se rënie do të pësojnë edhe remitencat.

“Edhe diaspora është prek nga kjo gjendje. Vendi i ynë varet edhe prej remitencave që i dërgojnë bashkëatdhetarët. Prandaj do të ketë ulje edhe tek remitancat”.

Ahmeti theksoi se Qeveria duhet t’i marrë disa masa për të ua lehtësuar gjendjen sektorit privat.

“Qeveria i ka marrë disa masa në funksion të lehtësimit të situatës, siç janë shtyerja e kredive, e raportimeve financiare dhe pagesën e tatimeve, por Qeveria do të duhet të ndërmarrë edhe masat e tjera. Një program emergjent për mbështetje do të ishte shumë i nevojshëm, edhe me masa tjera për subvencionimin e bizneseve”.

INTERVISTA E PLOTË:

Si vlerësohet gjendja ekonomike në vend si rezultat i pandemisë COVID-19?

Mirëmëngjesi për juve dhe shikuesit tuaj. Për të gjithë në këtë fazë shëndeti publik është në radhë të parë. Kjo na shqetëson të gjithëve dhe kujdesemi që të dalim nga kjo situatë me sa më pak pasoja.
E gjithë bota është duke kaluar në një situatë të jashtëzakonshme. Përveç pasojave shëndetësore, kjo gjendje është duke shkaktuar edhe pasoja të rënda ekonomike. Ekonomia ndodhet para një të panjohure të madhe.
Mirëqenia e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe rimëkëmbja e ekonomisë, është shumë e rëndësishme, krahas me ruajtjen e shëndetit publik.
Gjendja aktualisht është e rënduar, bazuar në masat e marra për mbrojtje nga COVID-19, janë prekur shumë sektor, disa edhe janë mbyllur në tërësi.
Si komunitet i biznesit, jemi pro dhe i mbështesim këto masa, mirëpo shprehim shqetësimin për rëndimin e situatës së biznesit. Prandaj, duke mos dashur të ngjallim panik apo të bëjmë presion mbi institucionet, pasi që i kuptojmë kapacitetet e kufizuara financiare dhe shëndetin publik në radhët të parë, shprehim shqetësimin së duhet urgjent një pako financiare dhe fiskale për sektorin privat.
240,000 vende pune i kemi në sektorin privat, aktualisht vlerësohet dëmi 10 milion euro në ditë, besoj është e qartë rëndësia dhe urgjenca.

Cilët janë sektorët më të prekur nga kjo gjendje?

Si sektorët me të prekur kisha përmendu sektorin e gastronomisë, shërbimeve, zejtarisë, tregtisë me pakicë në qendrat tregtar dhe ndërtimtarinë. Duke mos harruar as prodhimin. Nga kjo kuptojmë që i gjithë zinxhiri i ekonomisë është i prekur dhe ndërvarur.
Vlerësohet se mbi 100,000 të punësuar aktualisht janë në një lloj pushimi të detyrueshëm. Disa me vendim qeveritar, disa të detyruar, në radhë të parë për ta ruajtur shëndetin dhe tjetra se nuk ka konsumator, nuk ka lëvizje të qytetarëve.
Një shembull i thjeshtë që po i referohem Kryetarit të Odës Ekonomike, z. Rukiqi:

  • Zyrtarisht janë 12,900 persona të punësuar në sektorin e gastronomisë,
  • Kosto e pagave bruto në këtë sektor, për një muaj është, 3.5 milion euro;
  • Shto këtu pagesat e qerave dhe kostove tjera fikse;
  • Pagesat e kredive;
  • Njëkohësisht as nuk do të ketë inkasim të taksave si e hyrë buxhetore për shtetin;
    Një pjesë të të hyrave i kemi zakonisht nga diaspora, por edhe diaspora jonë është duke u përballur me këtë situatë, si rrjedhojë ekonomia jonë dhe vetë shteti këtë vit nuk presim remitanca. Edhe kjo e rëndon pak a shumë situatën socio-ekonomike.
    Pra, dëmi nuk është vetëm tek sektori privat, por është një zinxhir. Nuk po flasim vetëm për interesin e sektorit privat, por mirëqenien e gjithë shoqërisë. Madje edhe pagat për shërbyesit civil do të rrezikohen nëse nuk do të ketë hyrje buxhetore.
    E përsërisë, qëllimi nuk është të ngjallim panik, por të veprojmë sa nuk është bërë vonë. Më i mirë dhe më i lehtë është parandalimi, se pastaj veprimi.
    Sa i përket vlerës së dëmit, aktualisht kjo nuk mund të kuantifikohet. Askush nuk e din saktë sa mund të jetë dëmi.

Cilat janë veprimet konkrete të kërkuara nga sektori privat?

Institucionet tashmë veç se kanë marrë disa masa si shtyrja e raportimeve financiare, shtyrja e pagesës së kredive, shtyrja e pagesës së tatimeve. Të cilat vlerësohen pozitivisht, ndonëse ka paqartësi.
Veprimet konkrete të Institucioneve, të propozuara nga disa asosacione të biznesit janë:

  • ruajtjen e normalitetit të tregut dhe largimi i panikut në sektorin privat;
  • sigurimin e likuiditetit të mjaftueshëm në sistemin ekonomik të vendit;
  • vazhdimi i shtyrjes se deklarimeve tatimore;
  • shpëtimin i vendeve të punës dhe shpëtimi nga falimentimi i bizneseve;
  • fond i menjëhershëm për sektorët tek të cilët ka ndaluar aktiviteti tërësisht;
  • shqyrtimin me prioritet të kërkesave për pagesa nga ana e Thesarit për të gjitha shërbimet dhe produktet e ofruara nga operatorët ekonomikë;
  • ekzekutimi i menjëhershëm i të gjitha detyrimeve tek punë kryesit e kontraktuar;
  • përpilimin e një programi financiar për mbështetjen dhe stimulimin e sektorit privat, në vlerë prej 5% të bruto produktit vendor të Kosovës për fazën e emergjencës dhe rimëkëmbjes;
    Përsëri theksoj vetëdijen për kufizimet e fuqisë financiare të vendit tonë, por meqenëse kam edhe përvojë nga sektori publik, e di që ky vit nuk do të jetë i zakonshëm dhe nuk do të ketë mundësi për realizimin e shumë projekteve qoftë kapitale qoftë subvencioneve, besoj që nuk ka investim më të duhur se rimëkëmbja ekonomike, përkatësisht e sektorit privat, si vend me ekonomi të lirë dhe të bazuar në sektor privat.

Për fund edhe një herë uroj që të kemi sa më pak dëme në njerëz. Gjithashtu, vlerësojmë dhe falënderojmë kontributin e mjekëve, infermierëve, policëve dhe të gjithë shërbyesve që janë të angazhuar në këtë betejë. Bëjë ftesë të respektohen thirrjet e institucioneve shëndetësore për të qëndruar në shtëpi dhe të ruajmë distancën fizike.

Të ngjashme