Vitia: Pensionet duhet të rriten

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 10:17 | Nga

Kryetar i Organizatës Komunale të Pensionistëve të Prishtinës, Shaip Vitia, ka thënë se pensionistët nuk janë të kënaqur me pensionin sepse ai është shumë i vogël. Sipas tij, pensionet aktuale nuk u mjaftojnë as për barna.

“Duhet të reformohet pensioni, pasi që është shumë i ultë për disa kategori. Nevoja më e madhe për pensionistët është që ata të marrin pensionin më të madh”, ka thënë ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovës”, në Radio Televizionin e Kosovës.

Ai ka thënë se brenda ditës në zyret e pensionistëve hyjnë e dalin deri në 600 pensionistë. “Ne këtu kemi aktivitete të ndryshme. Kemi sallën e dominave, sallën e shahut, kemi edhe sallën e grave, bufenë për kafe, çaj me çmime më të lira për pensionistë”, tha Shaip Vitia.

Vitia ka bërë me dije se në këtë pikë takimi për pensionistë, ata kanë mundësi të shkëmbejnë biseda të ndryshme për jetën e tyre. Ai ka thënë se duhet të kemi kujdes dhe përkujdesje më të madhe ndaj pensionisteve.

Ai pret të kenë më shumë mbështetje nga institucionet e Kosovës, edhe pse sipas tij kjo nuk ka munguar deri më tani.

Ndryshe pensioni në Kosovës, fillon prej 75 euro dhe shkon deri në 230 euro për atë që kanë punuar dhe që janë me fakultet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme