Von der Leyen propozon embargo mbi naftën dhe bankat ruse

Prishtinë | 04 Maj 2022 | 09:55 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen zbuloi planin e bllokut evropian për të ndalur importet e naftës dhe bankave ruse, si pjesë e pakos së re të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Kremlinit, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.

Sipas von der Leyen, ndalesa ka për qëllim “presionin maksimal” ndaj Rusisë.

Ajo ka theksuar se kjo do të bëhet me një gradualisht për të ruajtur stabilitetin ekonomik të Bashkimit Evropian.

“Heqja dorë nga nafta ruse nuk do të jetë e lehtë, por ne thjesht duhet ta bëjmë”, tha ajo gjatë një debati në Parlamentin Evropian.

Po ashtu, ajo tha se në një periudhë gjashtëmujore do të hiqet dorë nga nafta e papërpunuar dhe produktet e rafinuara, duke theksuar për largimin e bankës më të madhe ruse Sberbank nga Sistemi Ndërkombëtar i Komunikimit Financiar (SWIFT).

“Në pakon e gjashtë të sanksioneve, që pritet të miratohet në ditët në vijim, do të jenë edhe zyrtarët ushtarakë të përfshirë në mizoritë e kryera në Buça dhe Mariupol”, theksoi von der Leyen.

Zyrtarja e lartë e BE-së gjithashtu tha se tre media shtetërore ruse do të largohen nga transmetimet në BE, pasi sipas saj, këto janë “megafonë të gënjeshtrave të Putinit”.

Sanksionet e paralajmëruara nga BE-ja vijnë teksa forcat ruse po godasin objektiva në lindje të Ukrainës, duke sulmuar me raketa fabrikën e çelikut në Mariupol, që është pika e fundit e rezistencës.

Moska nuk ka shfaqur asnjë shenjë se do të tërhiqet edhe pothuajse dhjetë javë pasi ka nisur, atë që e cilëson si “operacion të posaçëm ushtarak”, luftë që ka vrarë mijëra persona, ka shkatërruar qytete dhe ka detyruar 5 milionë ukrainas të largohen nga vendi.

Vendosja e sanksioneve do të kishte një ndikim më të madh financiar sesa sanksionet ndaj qymyrit, që ka propozuar BE-ja, pasi sanksionimi i naftës dhe gazit do të ishte një goditje e madhe në të ardhurat vjetore ruse.

Ekonomia e Rusisë prej 1.8 trilion dollarësh po shkon drejt tkurrjes së saj më të madhe që nga vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.

Presidenti rus Vladimir Putin po ashtu ka njoftuar për planet ruse për të bllokuar eksportet e lëndës së parë, për mbështetësit e Kievit. /Telegrafi/

Të ngjashme