VV-ja kërkon bllokimin e kontratës së Telekomit me “Z-Mobile”

Prishtinë | 13 Nën 2018 | 12:57 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka folur Fatban Bunjaku nga Komiteti për Komunikim elektronik dhe postar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tregoi për moszbatimin e rezolutës 12-pikëshe për qeverinë në lidhje me Telekomin e Kosovës, e cila ishte iniciuar nga Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Dje u bënë 4 muaj prej që Kuvendi i Kosovës me iniciativë të VV-së dhe LDK-së e miratoi një rezolutë 12-pikëshe obligative për qeverinë, kurse kjo nuk ka ndërmarrë asnjë hap për zbatimin e asnjërës nga pikat”, tha ai.

Sipas Bunjakut, bordi i Telekomit, i emëruar nga Qeveria Hardinaj ishte krejtësisht jokompetent, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria Haradinaj kishte emëruar në krye të kësaj ndërmarrje publike një bord krejtësisht jokompetent dhe një kryeshef ekzekutiv aspak me njohuri dhe përvojë abc në fushën e menaxhimit të një kompanie telekomunikuese”, tha ai.

“Telekomi është pa kryeshef edhe pse i emëruari i qeverisë, Gent Begolli, bënte se po sanonte gjendjen në Telekom dhe papritë dha dorëheqje duke lënë kompaninë pa askënd në krye me një ushtrues detyre me një producent filmash”, tha ai.

“Po të ishte ndryshe qeveria, sot do të zbatonte pikat e rezolutës së Telekomit të miratuara më 12 korrik 2018, kurse kontrata me Z-mobile do të ishte anuluar tashmë. Do të duhej të sanohej gjendja në Telekom që Telekomi të kthehet në një kompani të vyeshme për publikun dhe e dobishme për buxhetin e shtetit”, tha ai.

Bunjaku tha se i tërë bordi i Telekomit përbëhet nga familjarë e kryetarë degësh nga AAK, NISMA e PDK.

“Mosveprimi sipas rezolutës është pjesëmarrje aktive në rrënimin e qëllimshëm të këtij sektori strategjik për vendin”, tha Bunjaku.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë në kompetencat e saj karshi kontratës kriminale që po e gërryen Telekomin. Nuk mjafton të marrë në gjykim ish-drejtues, por duhet ta bllokojë kontratën”, tha ai.

Të ngjashme