Willems thotë se ligji i ri i pagave do ta rrisë hendekun ndërmjet sektorit publik e privat

Prishtinë | 04 Dhj 2019 | 20:04 | Nga Ekonomia Online

Ligji i ri i pagave, në Kosovë solli rritje të konsiderueshme të pagave për sektorin publik, duke përfshirë edhe pagat e presidentit e kryeministrit.

Kjo rritje, sipas GLPS-së, vlerësohet se do ta rrisë faturën e pagave për vitin 2019, derisa pritet ta tejkalojë shumën e 700 milionë eurove e që, sipas Arbërsha Loxhës nga ky institut, është mbi 20 për qind më e lartë se vitin e kaluar.

Ndërsa, ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, tha se me ligjin e ri të pagave do të ngrihet edhe kërkesa për punësim në sektorin publik, çka çon në dobësimin e sektorit privat.

“Raportet e publikuara gjatë ditës së sotme na japin një parashikim të asaj se si mund të ndikojë ky ligj në të dy sektorët. me miratimin e këtij ligji, kërkesa për punë në sektorin publik do të rritet, që nënkupton mbipopullimin e sektorit publik në krahasim me atë privat”, ka thënë Gerrie Willems.

Derisa zyrtarë qeveritarë thanë se ligji është pozitiv, sipas atyre që pritet të jenë në qeverinë e re, ky ligj krijon paqartësi për të dy sektorët.

Në tryezën e mbajtur për diskutimin rreth ligjit të ri për paga u tha se ky ligj do të ketë ndikim negativ, si shkak i ngatërresave buxhetore, si dhe pritet të shkaktojë pengesa për sektorin publik dhe atë privat.

Të ngjashme