Yagcilar merr pjesë në takimin e ReSPA-s në Bruksel

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar po merr pjesë në takimin e IX të Bordit Drejtues te ReSPA-s, në Bruksel, që po mbahet në nivel të ministrave, nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian.

Në bazë të agjendës në takim u diskutua lidhur me aktivitetet e zhvilluara dhe prezantimi i tyre në raportin e ReSPA-s për vitin 2018.
Duke e pasur parasysh që ReSPA ka për qëllim zhvillimin e administratës publike në vendet e rajonit përmes implementimit të programeve të punës, gjatë vitit 2018 Kosova është përfaqësuar nga rreth 200 pjesëmarrës në aktivitetet e zhvilluara duke përfshirë pjesëmarrjen në konferencat Rajonale, në grupet punuese dhe programe të ndryshme për fushën e administratës publike.

Po ashtu në vazhdë të këtij takimi u diskutua edhe për pengesat e deritanishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës me të drejta të plota, ku ministri Yagcilar, tha se ishte i angazhuar maksimalisht që rezoluta për anëtarësim në ReSPA të aprovohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nga Bordi Drejtues u kërkua që deri më 1 prill 2019 të merret vendimi nga Kuvendi i Kosovës për anëtarësim në ReSPA, me qëllim të shmangies së pengesave në zbatimin e aktiviteteve të ardhshme të ReSPA-s, të parapara edhe me Strategjinë 2019-2024.

Gjithashtu, anëtarët e Bordit Qeverisës të ReSPA-s miratuan aktivitetet dhe objektivat e planifikuara me Strategjinë e ReSPA-s për vitet 2019-2024.

Pas përfundimit të takimit të Bordit Qeverisës të ReSPA-s, ministri Yagcilar do të vazhdojë me pjesëmarrjen e tij në cilësi të penalistit në Konferencën për “ Përmirësimin e Bashkëpunimit Rajonal të organizuar po ashtu nga ReSPA, që do të zhvillohet sot edhe nesër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme