Ymeri sërish i reagon Bislimit, e bënë fajtor për gjendjen e rëndë ekonomike

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar sërish ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Besnik Bislimi.

Ymeri ka thënë se Bislimi është plotësisht fajtor që nuk po përqendrojnë fare në mundësitë e konceptimit të një modeli të tillë ekonomik që do t’i vendoste institucionet publike në funksion të zhvillimit e të mirëqenies e barazisë.

Statusi i plotë i tij:

I dashur Besnik Bislimi, Ministër i Financave dhe Transfereve

Të falenderoj edhe unë për reagimin e për uratën për shëndet (edhe pse kur e thua ashtu me plot vnerr, është disi lehtë e keqkuptueshme).

Sigurisht je shumë i zënë me punë dhe nuk ke arritur ta lexosh me vëmendje atë që e kam thënë. Prandaj edhe e ke keqkuptuar shumë. Madje aq shumë sa që e nxjerrë përfundimin që unë do ta kaloja në informalitet vetëm e vetëm për ta arsyetuar devijimin tim trevjeçarë politik 😊. Kur unë e kam përshëndetur reduktimin e ekonomisë jo formale. Dhe e kam quajtur hap të mirë. Mbase e lexon më vonë dhe bindesh.

Manipulimi ka të bëjë pikërisht me këtë këndvështrim të ngushtë teknik që po e aplikon në ‘sqarimin’ tënd. Për vete këtu e kam problemin – ti e sheh ekonominë vetëm teknikisht, sikur shkencë numrash. Unë e shoh atë si aktivitet shoqëror. Për të qenë korrekt VETËVENDOSJE! e ka parë kështu ekonominë prej se flet për ekonomi. Ndërsa tash ti në emër të VV flet për ekonominë përmes numrave të ngurtë e abstrakt. Me rëndësi është që numrat të dalin mirë pakçka që realiteti ekonomik e shoqëror është shumë më keq se sa që po ke vullnet ta pranosh. Kjo qasje është devijim flagrant politik. Fatkeqësisht në këtë rast jo i një njeriu (siç më akuzon ti mua), e i cili, edhe kur është e vërtetë, nuk paraqet ndonjë problem të madh për vendin, por i një partie të tërë dhe atë në pushtet e që është problem i madh për vendin.

Kështu që i nderuar Ministër: kemi dhe do të kemi probleme të mëdha ekonomike. Po e them prapë: Jo për fajin tënd, e as të qeverisë në të cilën shërben ti. Mirëpo krekosja jote e arroganca e qeverisë në asnjë mënyrë nuk është zgjidhje për këto probleme. Duhet ta mendojmë seriozisht modelin zhvillimor të përshtatshëm për Kosovën që do ta transformonte strukturën tonë ekonomike. Për sa kohë që nuk keni asnjë faj pse gjërat kanë shkuar kështu siç kanë shkuar deri tash, jeni plotësisht fajtor që nuk po përqendroheni fare në mundësitë e konceptimit të një modeli të tillë ekonomik që do t’i vendoste institucionet publike në funksion të zhvillimit e të mirëqenies e barazisë. Pra po mjaftoheni me disa manipulime matematikore të cilat në fund nuk thonë gjë. Jo ministër, nuk është ulur papunësia realisht. Nëse punëtorët nga ekonomia jo formale e kanë humbur vendin e punës si pasojë e pandemisë, ata i kanë punët më keq ekonomikisht se sa që i kanë pasur para pandemisë. Pra kanë më pak mundësi për të blerë. Dhe kështu kërkesa bie. E kështu ekonomia rrudhet. Këto janë fakte.

Po ashtu: pakoja emergjente e thotë që punëtorëve të regjistruar atëherë kur punëdhënësi nuk mund t’ua paguajë të ardhurat, Pakoja Emergjente ua siguron të ardhurat mujore prej 170 euro (plus kontributet pensionale që deponohen në Trustin e Kursimeve). Po ashtu: pagesë e asistencës mujore prej 130 eurove për rastet e rënda sociale të lajmëruar si të papunë (ku mund të hyjnë një numër i konsideruar i punëtorëve nga ekonomia jo formale të cilët tash nuk marrin më pagë nga punëdhënësi). Po ashtu: pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik. Të gjithë këta i kanë pasur të ardhurat mujore më të larta se sa asistenca mujore që ua jep Pakoja Emergjente. Kjo nuk do të thotë që duhet të vazhdohet informaliteti. Por duhet pasur parasysh që kjo ulje e të ardhurave shkakton probleme ekonomike e sociale. Diskutimi kryesor nëpër botë sot është përdorimi i Të Ardhurave Bazike Univerzale për secilin qytetar si mundësi e vetme e sanimit afatgjatë të problemeve ekonomike e sociale që i ka shkaktuar neoliberalizmi, e veçanërisht pandemia. Natyrisht këtë masë (bashkë me tjera) i mbështesin kryesisht forcat politike socialdemokrate e progresive. Dhe i kundërshtojnë shumë ato konzervatore e neoliberale. Ku je ti Ministër? Ku është qeveria e Kosovës sot?

Të ngjashme