Ymeri thotë se bashkimi doganor Kosovë-Shqipëri është domosdoshmëri

Prishtinë | 03 Nën 2018 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, është shprehur se bashkimi doganor Kosovë-Shqipëri, është parakusht për zhvillim ekonomik rajonal në kushte barabarësie.

“Më 5 qershor të këtij viti, me propozimin tim, në emër të Grupit Parlamentar të PSD-së; Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Rezolutën e cila kërkonte nga Qeveria e Republikës së Kosovës t’i nis procedurat për unifikimin doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pika e përbashkët e kontrollit në kufi është një hap drejt këtij bashkimi doganor. Këtë e përshëndes. Gatishmërinë nga Kryeministri Rama për bashkim doganor po ashtu”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Ka thënë, se dy vendet duhet ecur tutje drejt bashkimit doganor.

“Një treg Kosovë-Shqipëri është domosdoshmëri e kohës. Kjo ia rritë potencialin dy ekonomive tona, duke rritur intensitetin e shkëmbimeve tregtare, vëllimin ekonomik të prodhimeve vendore të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe mundësinë e ekonomisë së shkallës”.

Ymeri, që njëherësh është deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se një treg Kosovë-Shqipëri na vendos strategjikisht në një pozicion të favorshëm ekonomik karshi rajonit.

“Kështu, dhe vetëm kështu, i bëjmë ballë tendencave hegjemoniste ekonomike në rajon. Ky është parakusht për një zhvillim ekonomik të rajonit në kushte barabarësie prej të cilit përfitojnë të gjithë”, ka përfunduar Ymeri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme