Zeka: Ideja për mini-shengenin ballkanik e ngutshme, së pari të zbatohet CEFTA

Prishtinë | 13 Nën 2019 | 08:25 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Bashkëpunimi për mini-shengenin ballkanik, iniciativë e nisur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pritet të finalizohet më 21 dhjetor në takimin e Durrësit.

Por, një iniciativë e tillë po shihet e paarsyeshme nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).

Kryetari i kësaj Ode, Arian Zeka, thotë për EkonomiaOnline se shtetet e Ballkanit së pari duhet të zbatojnë marrëveshjen e CEFTA-së, dhe më pas të shikojnë mundësitë e tjera të bashkëpunimit.

Ai thotë se pa u implementuar në mënyrë të plotë marrëveshja e CEFTA-s nuk duhet të krijohet një platformë e tillë bashkëpunimi.

“Ajo çfarë duhet të thuhet është që ekzistojnë barriera të shumta për sa i përket zbatimit të duhur edhe të plotë të marrëveshjes së CEFTA-s, shpeshherë shtetet e Ballkanit që janë nënshkruese dhe pjesëmarrëse të marrëveshjes së CEFTA-s i kanë vënë barriera të ndryshme tarifore dhe jo tarifore njëra tjetrës”.

“Pa u eliminuar të gjitha këto barriera pa u implementuar në mënyrë të plotë marrëveshja CEFTA unë besoj që është herët të flitet për krijimin e ndonjë platforme të re të bashkëpunimit siç është edhe kjo për ‘Mini-shengen’ të ri”.  

Megjithatë, thotë se nuk mund të parashihet tani nëse Kosova do të fitonte në rast përfshirjes në këtë platformë.

“Pa përfshirjen e Kosovës brenda një iniciative të tillë ndoshta është vështirë të komentoheshin cilat do të ishin përfitimet e mundshme për Kosovën. Sidomos në aspektin ekonomik”, thotë ai.

Zeka ka folur edhe për idenë e kandidatit të Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurtit, i cili po shprehet se do të vendosë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Thotë se nuk përkrahin asnjë barrierë tarifore që pengon qarkullimin e lirë të mallrave që garantohet edhe më marrëveshjen e CEFTA-s.

“Nuk do ta komentoja meqenëse është ende në nivel të premtimit politik i cili është bërë gjatë kohës së fushatës dhe rrjedhimisht ne në Odën Amerikane nuk komentojmë premtimet e tilla”.

“Ajo çfarë mund të them është që ne si Odë Amerikane nuk përkrahim kurrfarë barriere tarifore ose jo tarifore e cila pengon qarkullimin e lirë të mallrave dhe kapitalit brenda shteteve anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, përfshirë këtu edhe Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimorë”, thotë ai.

Ideja e Shengenit Ballkanik nuk është parë me sy të mirë as në Bruksel, ku thuhet se nismat rajonale janë të mirëpritura, por nuk duhet të jenë përjashtuese, duke iu referuar Kosovës.

Kundër kësaj nisme ka qenë edhe i dërguari Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.

Të ngjashme