Zeka: Kosova ka kapacitete për të tërhequr më shumë investime amerikane

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 22:17 | Nga Ekonomia Online

Në Kosovë investimet e huaja llogariten në vlerën e 220 milionë eurove në vit nga të cilat 25 milionë janë investime amerikane. Niveli i ulët i tyre lidhet me disa faktorë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka rendit si arsye perceptimin e keq mbi Ballkanin në përgjithësi, situatën e korrupsionit si dhe punën e pamjaftueshme të qeverisë së Kosovës për të reklamuar arritjet.

Një grup anëtarësh të bordit të guvernatorëve të kësaj dhome shfrytëzuan takimet në Uashington me përfaqësues të qeverisë e Kongresit, ndër ta senatorin Charles Grassley dhe ligjvënësin Eliot Engel, për t’i njohur me përparimin që ka shënuar vendi, në një përpjekje për të tërhequr më shumë investimeve amerikane në Kosovë.

Zeka thotë se duhet një veprim gjithëpërfshirës për të tërhequr investimet e huaja të cilat mungojnë jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.

Sipas raportit vjetor të Bankës Botërore “Doing Bussines”, Kosova ka pësuar një rënie me 13 vende krahasuar me një vit më parë. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane i përkthen gjetjet në raport si stanjacion të ciklit të reformave për të përmirësuar edhe më tej klimën e biznesit në vend.

Ai thekson nevojën që qeveria e re e Kosovës të punojë për të ofruar më shumë lehtësira për bizneset e huaja, të forcojë zbatimin e ligjit si dhe imazhin e vendit përballë investitorëve.

Të ngjashme