Zëvendësministrja Vuniqi në Samitin Ekonomik Kosovë-Turqi, fton afaristët të investojnë në Kosovë

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 17:50 | Nga

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në Samitin Ekonomik Kosovë -Turqi, i cili u mbajt në Bursa, u ka bërë thirrje afaristëve që të investojnë në Kosovë.

“Kosova, si një vend i ri dhe dinamik ofron një sërë përparësish krahasimore siç janë, popullsia e re dhe mjaft mirë e kualifikuar, resurset natyrore, kushtet e volitshme klimatike, infrastruktura, politikat fiskale me taksat më të ulëta tatimore në rajon, pozitën gjeografike me qasje në tregun rajonal të CEFTA-s, BE-së dhe tregje të tjera, andaj shfrytëzoj rastin të ftoj afaristët e Bursës, që të investojnë në Kosovë ​sepse do të keni mundësi për të eksportuar produktet tuaja në tregjet më të mëdha botërore”, ishte mesazhi i saj, transmeton Ekonomia Online.

“Qyteti i Bursës, përveç kontributit në zhvillimin e ekonomisë së Turqisë, në ditën e sotme kontribuon edhe në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Ky qytet, mund të shërbej si një referencë dhe model në zhvillimin ekonomik të komunave te Kosovës. Kultura e punës, angazhimi në fushën e aftësimit profesional të të rinjve, performanca në fushën e industrisë dhe në sektorin e shërbimeve, na bënë që të shikojmë me vëmendje dhe të lakmojmë veçoritë e këtij qyteti të bukur. Gjithashtu, çmojmë iniciativat e këtij qyteti për të zhvilluar bashkëpunimin me Kosovën”, është shprehur zëvendës-ministrja Vuniqi.

Sipas një komunikate nga MPJ, në vazhdim të prezantimit ajo ka përmendur edhe marrëdhëniet shumë të mira në mes dy vendeve dhe dy popujve që duhet të ndikojnë në zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

“Përveç marrëdhënieve shumë të mira politike dhe ekonomike, janë edhe lidhjet kulturore dhe historike ndërmjet dy shteteve. Shumë njerëz si nga Turqia ashtu edhe nga Kosova kanë të afërmit e tyre në shtetin tjetër. Dinamikat tona sociale na bënë që të afrohemi edhe më shumë. Kosovarët që kanë migruar në Turqi, komuniteti turk në Kosovë dhe në fakt të gjithë kosovarët, kanë rëndësinë e veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, ka theksuar Vuniqi.

Tutje, ajo ka falënderuar shtetin turk për kontributin e tyre për stabilitetin, zhvillimin dhe promovimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar si dhe në rrugëtimin e vendit tonë drejt integrimeve Euro-atlantike.

Të ngjashme